Prokuroria: Të mos keqpërdoret rasti “Feniks” për qëllime politike

Prokuroria Publike bëri thirrje që të gjitha partitë politike të ndalojnë keqpërdorimin e procedurës hetimore për çështjen “Fenix” për qëllime politike, si dhe çdo veprim tjetër të prokurorisë, transmeton Portalb.mk.

“U kujtojmë të gjithë aktorëve politikë mesazhin e dërguar nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së vetëm pak ditë më parë në këtë kontekst – “liderët e Maqedonisë së Veriut duhet të tregojnë rezultate të forta, të prekshme në luftën kundër korrupsionit, duke forcuar pavarësinë institucionale dhe duke kufizuar ndërhyrjet politike veçanërisht në gjyqësor, i cili është thelbësor për përmbushjen e synimeve të anëtarësimit në BE dhe ndërtimin e besimit të qytetarëve te qeveria”, thonë nga PThP.

Prokuroria themelore publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe prokurori publik që vepron në këtë rast ndërmarrin veprime për sigurimin e provave, duke u udhëhequr plotësisht nga parimet e drejtësisë dhe mbrojtjes së prezumimit të pafajësisë.

Në dritën e komenteve publike dhe spekulimeve të fokusuara në afatin kohor për veprim në këtë rast,  konsiderojmë se është e nevojshme të theksohen data të caktuara që pasojnë veprimin në këtë rast, në mënyrë që publiku të gjykojë se çështja “Fenix” është zhvilluar në përputhje me ligjin dhe sipas provave.

Provat që ishin të nevojshme në këtë procedurë penale – ekspertiza materiale dhe financiare, e cila ishte përgatitur nga eksperti gjyqësor me urdhër të prokurorit në fjalë, është pranuar më 1 qershor 2023. Dokumenti i është dorëzuar prokurorit publik më 5 qershor 2023. Pas studimit të tij, në korrelacion me provat e siguruara paraprakisht, më 12 qershor 2023, prokurori publik tashmë ka dorëzuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme Urdhër me udhëzim për përgatitjen e të gjitha masave të nevojshme për zbatimin e lëndëspenale.

“Më 29 qershor 2023, rreth orës 11:00, prokurori publik është njoftuar përmes telefonit se njëri nga të dyshuarit është ndaluar në një pikë kufitare në tentativë për t’u larguar nga vendi. Andaj, urgjentisht ka qenë e nevojshme që të fillohen veprimet procedurale të përshtatshme për tentativën për ryshfet ndaj shtetit, gjë të cilën e ka shpjeguar prokurori publik në fjalë dhe në konferencën e mbajtur për media. Rrjedhimisht, Prokurori i Përgjithshëm qartësisht nuk mund ta dinte se kur ndonjë nga të dyshuarit do të ndalohej gjatë tentativës për t’u larguar nga vendi, duke shkaktuar kështu nevojën për veprim të shpejtë”, thonë nga PTHP.

Në të njëjtën kohë, Prokuroria Publike dënon të gjitha përpjekjet për diskreditim personal publik të prokurorit, i cili vepron me përkushtimin dhe profesionalizmin maksimal në këtë çështje.