Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk ka pranuar asnjë kallëzim për krim lidhur me zgjedhjet

Gjatë ditës së votimit në Maqedoninë e Veriut deri në mbylljen e vendvotimeve, në adresën elektronike [email protected] të Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk është pranuar asnjë kallëzim për krim lidhur me zgjedhjet, transmeton Portalb.mk.

“Sipas informacioneve të marra nga prokuroritë publike në mbarë vendin, dita e zgjedhjeve në rrethin e parë të zgjedhjeve për President të Republikës së Maqedonisë së Veriut ka kaluar në mënyrë të qetë dhe pa shqetësime të mëdha në procesin zgjedhor. Nuk u regjistruan incidente më të rënda që do të kishin karakteristikat e krimit kundër zgjedhjeve dhe votimit apo krime të tjera që do të rrezikonin procesin zgjedhor. Komisioni i Përkohshëm i Prokurorisë Publike për parregullsi të mundshme zgjedhore ka monitoruar rrjedhën e votimit dhe gjatë ditës janë organizuar punë të jashtëzakonshme në të gjitha prokuroritë themelore publike. Prokuroria Publike është koordinuar me institucionet tjera përgjegjëse për monitorimin e procesit zgjedhor. Komisioni do të vazhdojë punën deri në përfundim të ciklit zgjedhor. Të gjitha dyshimet e mundshme për vepra penale që mund të prishin procesin zgjedhor do të hetohen dhe rastet do të kenë prioritet për veprim në prokuroritë publike.” thuhet në kumtesë.

Ndiqni gjitha zhvillimet e ditës së votimit minutë pas minuti. Klikoni linkun për të marrë më shumë informata: LEXO: U mbyllën vendvotimet në Maqedoninë e Veriut për zgjedhjet presidenciale, të gjitha lajmet për procesin, minutë pas minuti (LIVE)