Prokuroria ngriti procedurë për vjedhje të rëndë në Shkup dhe vrasjen në Batincë

Prokuroria Themelore Publike Shkup ka iniciuar procedurë kundër një personi për shkak të dyshimeve se ka kryer vepër penale – vjedhje e rëndë nga neni 236 paragrafi 1 pika 1 e Kodit Penal. Siç njoftoi Prokuroria, dyshimet tregojnë se krimin e ka kryer në bashkëpunim me një person tjetër, i cili është identifikuar dhe është në kërkim, transmeton Portalb.mk.

“Më 23 korrik, nga ora 12:00 deri në ora 13:00, të dy kanë hyrë në banesë në bulevardin “Brigada e Tretë Maqedonase” dhe kanë marrë një kompjuter portativ, ora dore dhe sende të tjera në vlerë të përgjithshme prej 38.000 denarë”, thonë nga Prokuroria Publike e Shkupit.

I dyshuari është një 35 vjeçar nga Prilepi të cilit tashmë i është hequr liria, ndërsa prokurori publik kompetent në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit ka dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit për shkak se, sipas Prokurorisë, ka rrethana që tregojnë qartë rrezikun e arratisjes.

Ka nisur hetimi për vrasjen në Baticë, policia është në kërkim të autorëve

PThP Shkup gjithashtu njofton se është lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj dy personave të cilët dyshohet se kanë kryer bashkërisht vepër penale vrasje nga neni 123 paragrafi 2 pika 3 si dhe prodhim, posedim, ndërmjetësim dhe tregtim i paautorizuar i armëve dhe lëndëve shpërthyese sipas nenit 396 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal.

“Më 1 korrik, dy banorët e Batincës, në një veturë me targa të huaja, kanë mbajtur në mënyrë të paligjshme tre pushkë automatike, mbajtja e të cilave është plotësisht e ndaluar për qytetarët. Me mjetin kanë kaluar rrugën e një makine tjetër me dy persona, kanë dalë dhe kanë nisur menjëherë të qëllojnë. Njërit prej viktimave i është marrë jeta, ndërsa tjetri është vënë në rrezik dhe i ka shkaktuar lëndime fizike, pas së cilës të dyshuarit i kanë djegur veturën në afërsi të fshatit Draçevicë dhe kanë ikur”, thonë nga Prokuroria Publike e Shkupit.

Prokuroria bën me dije se dy të dyshuarit janë në arrati dhe nuk kanë qenë në dispozicion të organeve të rendit që nga koha e kryerjes së krimeve.

“Duke pasur parasysh këtë, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup, propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit, i cili do të fillojë të zbatohet nga zbulimi dhe privimi i lirisë së tyre. Ministrisë së Punëve të Brendshme i janë lëshuar urdhra përkatës për gjetjen e personave të dyshuar”, informojnë nga PThP Shkup.