Profesori Ali Pajaziti fitoi çmimin “13 Nëntori” për sferën e sociologjisë

Profesori universitar Ali Pajaziti, fitoi çmimin e Qytetit të Shkupit “13 Nëntori” për kontributin e tij në sferën e shkencës: sociologjisë si publicist, autor i disa librave dhe përkthyes shkencor i disa veprave.. Shqiptar tjetër që fitoi këtë çmim është Irfan Ahmeti në fushn e kujdesit shëndetësor për kontributin afatgjatë në përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe angazhimin afatgjatë në fushën e diabetit dhe obezitetit, transmeton Portalb.mk.

Ky shpërblim, që u jepet personave fizikë dhe juridikë dhe që ka për qëllim promovimin e vlerave konstante, akordohet për shumë kategori si kultura, arsimi, shkenca, arti, arkitektura, shëndetësia, sporti etj.

Çmimi “13 Nëntori” që nga viti 1955 iu jepet qytetarëve të dalluar, ndërtuesve të kulturës dhe jetës së përgjithshme të kryeqytetit të RMV-së, figurave që kontribuojnë në përparimin dhe afirmimin e këtij entiteti urban në planin lokal dhe global.

Profesori i Fakultetit të Shkencave Shoqërore Bashkëkohore i UEJL-së, Ali Pajaziti, paraprakisht fitoi edhe një çmim tjetër. Gjatë konferencës interdisiplinare ndërkombëtare “Kapitali Social dhe Sfera Publike në Shoqërinë Bashkëkohore “, që u mbajt në Vlorë, më 10 dhe 11 nëntor, fitoi çmimin “Ambasador i Paqes” i akorduar nga Federata Universale e Paqes , që funksionon në 120 vende të botës.

Ai aty bëri prezantimin e temës “Kërkimi i paqes në kohët apokaliptike: enigmat e reja dhe të vjetra në botë dhe në Ballkan”. Në këtë konferencë marrin pjesë 245 autorë nga 22 vende të botës.

Fituesit tjerë të çmimit 13 Nëntor të këtij viti janë: Nga fusha e gazetarisë Vlada Urosheviq për romanin “Historia e vërtetë, por jo shumë e mundshme e familjes Pustopolski për shtëpinë buzë Vardarit dhe katër unazat”.

Nga fusha e arsimit dhe edukimi,  Bona Bajraktarova për kontributin e përgjithshëm të rëndësishëm në fushën e punës kërkimore-shkencore dhe gazetareske në Stomatologji – veçanërisht në fushën e stomatologjisë së fëmijëve dhe parandaluese, si dhe futjen e metodave efektive parandaluese, që në përgjithësi është një kontribut në përmirësimin e shëndetit oral, veçanërisht të popullsisë së re të qytetit dhe më gjerë

Nga fusha e arsimit dhe edukimit Sonja Zdravkova – Xheparoska për disa arritje, mirënjohje dhe kontribute vjetore në zhvillimin e veprimtarisë pedagogjike, arsimore e shkencore, veçanërisht në fushën e edukimit artistik.

Nga fusha e kulturës, Blagoj Çorevski. Nga fusha e shkencës Elka Jaçeva – Ulçar. Nga fusha e artit, Gjergj Çuçkovski.

Nga fusha e kujdesit shëndetësor Biljana Kuzmanovska.

Nga fusha e veprimtarisë humanitare Vladimir Blazhev – Panço, Andreja Gjordjieski-Andrej.

Nga fusha e veprimtarisë humanitare, Elena Bozinovska.

Nga fusha e sociologjisë, Ali Pajaziti, për arritjet në fushën e sociologjisë si publicist, autor i disa librave dhe përkthyes shkencor i disa veprave.

Nga fusha e sportit, Atanas Kostovski dhe Shkolla e mesme “Nikolla Karev”-Shkup, për fitimin e vendit të parë në Kampionatin Evropian të Basketbollit të Shkollave të Mesme 2023.