Nepali ndaloi TikTok-un për “prishje të harmonisë sociale”

Nepali e ka ndaluar aplikacionin kinez TikTok me pretekstin se përmbajtja e tij është “e dëmshme për harmoninë sociale”. Vendimi vjen disa ditë pasi vendi i Azisë Jugore prezantoi një rregull të ri që kërkon që firmat e mediave sociale të hapin zyra në vend, transmeton Portalb.mk.

Ministri i Komunikimeve dhe Teknologjisë së Informacionit të Nepalit, Rekha Sharma tha për BBC Nepal se platforma po përhapte përmbajtje me qëllim të keq. Ajo shton se ndalimi do të hyjë në fuqi menjëherë dhe se autoritetet e telekomunikacionit janë drejtuar për të zbatuar vendimin.

Megjithatë, Gagan Thapa, i cili është udhëheqës i lartë i Kongresit Nepal dhe pjesë e qeverisë së koalicionit, vuri në dyshim vendimin për ndalimin e TikTok, duke argumentuar se ishte një përpjekje për të kufizuar lirinë e shprehjes dhe se zyrtarët duhet të fokusohen në rregullimin e platformës.

Sipas raporteve të mediave lokale, më shumë se 1600 raste të krimit kibernetik në lidhje me TikTok janë regjistruar në Nepal në katër vitet e fundit.

TikTok është vënë nën shqyrtim nga autoritetet në mbarë botën mes shqetësimeve se qeveria kineze mund të ketë akses në të dhënat e përdoruesve. Kompania mëmë që qëndron pas aplikacionit – “Bytedance”, mohon pretendime të tilla.

TikTok deri më tani është ndaluar në disa vende, përfshirë Indinë. Në fillim të këtij viti, Montana u bë shteti i parë amerikan që ndaloi aplikacionin.