Problemet e luftës dhe paqes para dhe pas rënies së Murit të Berlinit

Nuk është aq vështirë që popujt të jetojnë në fqinjësi të mirë poqese qeveritë do të nisen nga teoria e së drejtës natyrore se çdo popull ka të drejtën të jetojë i lirë. Me shekuj autorë nga bota perëndimore dhe lindore kanë debatuar dhe shkruar se si mund të arrihet deri në paqen e përhershme, dhe pse nuk duhet luftë. Sipas teorisë morale të së drejtës natyrore, “standardet morale që rregullojnë sjelljen njerëzore, kanë lidhje me natyrën e qenies njerëzore dhe të vetë botës”. Këtu një kontribut të madh kanë dhënë autorët e së drejtës natyrore. Njëri ndër ata është Tomas Aquinasi (1225-1274), teoria e të cilit fokusohet në “lidhshmërinë në mes teorive morale dhe ligjore të së drejtës natyrore”. Në analizën historike gjithmonë duhet t’i kushtohet vëmendje ndryshimeve sociale dhe politike që kanë pasur ndikim deri në zbulimet epokale. Ndërsa Evropa bëhej gati të dilte nga epoka e errët mesjetare, dhe kishte filluar të çlirohej nga ndikimi i Kishës Katolike, me Rilindjen, Reformacionin, dhe forcimin e konceptit komb-shtet, e drejta natyrore dhe morali u bënë të parëndësishme për shumë fuqi koloniale. Shpikja e barrutit dhe shfrytëzimi i lëndëve të para nga Azia, Afrika, importi i lirë i pambukut, leshit, çajit, arit dhe puna e lirë, e bënë politikën dhe tregtinë ndërkombëtare të shteteve të kohës tepër të urritur. Kur të gjitha ambiciet u përmbushën, në fillim të shek. 20-të Evropa u gjend përsëri para luftërave të reja. Kur Lufta e Parë Botërore (LPB) filloi, Herber George Wells deklaroi se “do të ishte lufta për t’i dhënë fund luftës”. Wells e arsyetonte këtë gjetje me idenë se “militarizmi dhe autokracia prusiane të zëvendësoheshin nga një qeveri e zgjedhur nga qytetarët, dhe popujt evropianë nuk do të shkonin kurrë më në luftë me njëri-tjetrin”. Ideja e tij u bë përkohësisht realitet, kur në Gjermani para Konferencës së Parisit (1919-20), lindi Republika e Wehmarit (1918-33). Në fakt 20 vite më pas, Gjermania e Hitlerit e pushtoi në vitin 1939 Poloninë bashkë me BRSS-në duke shkaktuar fillimin e Luftës së Dytë Botërore (LDB). Paqja e përhershme nuk u arrit as pas përfundimit të luftës në Evropë në vitin 1945, dhe as pas Luftës së Ftohtë. Shtetet më të fuqishme kanë tendencë historike që të mbajnë peng shumë shtete tjera më të dobëta në politikën ndërkombëtare. Shtetet e vogla janë të detyruara që përshkak të koalicioneve të mbështesin shtete që janë vazhdim i ëndrrës koloniale, edhe atë në formë të modernizuar dhe të integruar për luftë të përhershme dhe pushtim. Tre dekada pas shkapërderdhjes së BRSS-së, forcimit të qeverive autoritare në Lindjen e Mesme, në Rusi, Evropën Lindore dhe në Ballkan, çështjet ndërkombëtare dhe ato rajonale e kanë ndryshuar trajektoren e tyre, pasi shtetet kapitaliste, pra Perëndimi po kalon në një fazë tjetër të transformimit ekonomik dhe rigrupimit gjeopolitik- nga një fazë të industrisë së shek. 19-20-të në atë të shek. të 21- me vendosjen e rregullave të reja në politikën ndërkombëtare dhe ekonominë globale. Përveç pjesës së dukshme të mospajtimeve dhe luftërave në mes shteteve, në këtë kohë duket se krizat dhe konfliktet aktuale janë gjithashtu si pasojë e përplasjes së qytetërimeve, dhe përpjekjeve të shteteve nga Azia dhe Lindja e Mesme për tu bërë konkuruese në tregun e ri global. Pasi që institucionet ndërkombëtare nga viti 1945 janë ende në dorën e shteteve perëndimore, vendimet në disa momente nuk janë marrë në përputhje me situatat dhe ngjarjet. Në këtë situatë të re, e drejta natyrore më së paku vjen në konsideratë nga shtetet që i shkelin të gjitha ligjet. Në mungesë të një balance në mes shteteve të fuqishme dhe atyre që janë të varura nga të mëdhenjtë, paqja bëhet edhe më e vëshirë për popujt që janë në luftë të përhershme. Filozofi gjerman Imanuel Kant (1724-1804), në kohën e sotit bëhet më aktual si asnjëherë. Ai në “Metafizikën e moralit”, argumenton se mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen me ligj në vend të dhunës së paligjshme. “Për nga gjendja, shtetet kanë të drejtë të detyrojnë shtetet tjera të hynë apo të zbatojnë ligjet”. Përdersisa ka luftë, sipas Kantit nuk ka të drejta të sigurta. Gjithashtu shtetet duhet të përmbahen nga krimet, sepse paqja dhe marrëveshjet në të ardhmen do të jenë më të vështira. Po këtu një vështrim gjithëpërfshirës, shekuj më parë ka dhënë dhe Tomas Hobsi (1588-1679), sipas të cilit “lufta fillon jo për mungesë të burimeve materiale ose për arsye se njeriu ka natyrë egosite, por lufta fillon sepse njeriu është krijesë e brishtë dhe e ndjeshme ndaj manipulimit ideologjik”. Hobsi, thotë se “burimet kryesore të luftërave janë mosmarrëveshjet, prandaj sipas tij shkaku ashtu edhe ilaçi janë kryesisht ideologjikë”. Në vizionin e tij për paqen ai ka një qasje pozitive për paqen e përjetshme në një bashkësi të qeverisur mirë e të mbështetur në bashkëpunimin ndërkombëtar në mes shteteve”. Pasi shtetet në politikën ndërkombëtare i kanë haruar traktatet dhe konventat, opsioni i vetëm mbetet gjetja e një formule të përbashkët se si të parandalohen mizoritë. Historikisht, formulë nuk është gjetur. Etapat historike tregojnë se bota- njerëzimi ka kaluar më shumë në luftë se sa në paqe. Mungesa e standardeve dhe e rregullave nëse duhet një zgjidhje territoriale, fetare apo duhet bërë një zgjidhje në baza ideologjike, e bën të pamundur dhënien fund të dhunës dhe vrasjeve në të gjitha konfliktet dhe mosmarrëveshjet. Përderisa shtetet e fuqishme do të mbesin në këtë grackë, luftërat do të vazhdojnë. Kur zbresim nga vështrimet teorike të luftës dhe paqes, në realitetin e sotëm, pra në luftën aktuale në Lindjen e Mesme, në Ukrainë dhe pa lënë anësh vatrat tjera potenciale të shpërthimit, vërehet se paqja është larg. Në kontekst të paqes dhe luftës, Ballkani si çdo rajon tjetër i botës zë vend të rëndësishëm në politikën evropiane dhe botërore. Edhe pse në nëntor të vitit 1989, Muri i Berlinit u rënua, luftërat etnike, ideologjike dhe për territore deri në kohën e sotit nuk kanë pushuar. Gjendja shumë pak ka ndryshuar, sa që tre dekada pas Marrëveshjes së Dejtonit (1995), në Bosnjë dhe jashtë janë shtuar zërat për shembjen e federatës. Gjasat e Bosnjës të mbetet e bashkuar janë të pakta. Serbët janë të vendosur të jetojnë në një shtet të përbashkët. SHBA dhe BE nuk kanë një zgjidhje të lehtë për Sarajevën dhe as për Kosovën. Zgjidhja etnike në Bosnjë deri më tani është përjashtuar, ashtu njëjtë si për Maqedoninë e Veriut, ndërsa për pakicën serbe në Kosovë, po krijohet një rast i ri me pasoja të mëdha. Përderisa të dyja opsionet po përdoren nga të huajt sipas nevojës, shtetet e Ballkanit në tensionet e ngritura në mes BE-së dhe SHBA-së në njërën anë, dhe Rusisë dhe Kinës në anën tjetër, janë në udhëkryq të përhershëm. Qeveritë e Ballkanit vazhdimisht janë të shqetësuara për shpërthimin e luftërave. Pasi nuk shihet ndonjë zgjidhje se si të ndërpriten luftërat, detyrimisht shtrohet nevoja për zbatimin e së drejtës natyrore në politikën ndërkombëtare. Realisht, zhvillimet aktuale japin pak shpresë se kombet në këtë shekull do të jetojnë në paqe. Më shumë do të merren me pasojat e luftës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.