Pretendimi se do të ndryshohet flamuri shtetëror i Kosovës është i rremë

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte, shkruan Sbunker.

Më datë 4 gusht 2024, faqja në Tiktok me emrin “Shqipëria madhe”, ka publikuar një video me fotografi të bashkëngjitura në të cilën është paraqitur flamuri i Kosovës. Aty pretendohet rrejshëm së flamuri aktual me hartën e Kosovës dhe gjashtë yjet sipër saj, do të ndryshohet nga kryeministri Kurti, dhe se në vend të hartës do të vendoset shqiponja dy krenare e ngjashme me flamurin e Shqipërisë.

Foto nga faqja në Tiktok me emrin “Shqipëria madhe”
Foto nga faqja në Tiktok me emrin “Shqipëria madhe”

Aty jepet edhe ultimatumi kinse flamuri i Kosovës do të ndryshohet më 5 shtator.

Postimi ka marrë gjithsej 7637 pëlqime e 470 komente. Mirëpo, pretendimin, kjo faqe nuk e ka mbështetur në asnjë fakt, teksa shumë prej vizitorëve të kësaj platforme besojnë se një vendim i tillë tashmë është marrë nga Kurti.

I njëjti pretendim është shpërndarë edhe nga një tjetër profil në Tiktok, “sunduesi i natës”, që deziformatës ia shton edhe pretendimin se kinse Kurti e ka shpalosur vendimin e tij në një konferencë për media me datë 3 gusht 2024.

Nga verifikimi faqes zyrtare dhe konferencat e mbajtura nga Kurti, del se nuk ka asnjë informacion që mbështet pretendimin e këtyre dy faqeve në Tik-tok.

Simboli i shtetit të Kosovës ishte zbuluar në ditën e shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt 2008. Në konkursin që ishte shpallur për këtë qëllim, ka pasur kritere specifike, të cilat janë përjashtuese edhe për pretendimin e ngritur se atij do t’i vendoset shqiponja. Flamuri i Kosovës nuk duhet t’u përngjajë flamujve të shteteve tjera as nuk mund ta ketë kombinimin e ngjyrave kuq e zi. Yjet në hartë i përfaqësojnë gjashtë komunitetet që jetojnë në Kosovë.

Partia që tani është në pushtet- Lëvizja Vetëvendosje e pati quajtur simbol të imponuar flamurin që ishte votuar në seancën e shpalljes së pavarësisë. Mirëpo, pas ardhjes në pushtet nuk ka pasur ndonjë iniciativë për ndryshimin e simboleve shtetërore.