Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Kosta do të udhëtojë për në Ballkanin Perëndimor, do të takohet edhe me Mickoskin
Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Kosta, do të udhëtojë për në Ballkanin Perëndimor javën e ardhshme (1-5 qershor) për t’u takuar me udhëheqësit nga rajoni dhe për të bashkëkryesuar Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, Mali i Zi (më 5 qershor). Presidenti Kosta do të diskutojë mundësitë dhe sfidat rreth zgjerimit, integrimit gradual, bashkëpunimit rajonal, sigurisë dhe stabilitetit, shkruan Portalb.mk.
“Turneu im i dytë në Ballkanin Perëndimor dërgon një sinjal të qartë: angazhimi i BE-së ndaj rajonit është real; po aq real sa edhe mundësia për zgjerim. Momentumi është aty. Tani është koha për të dhënë rezultate,” deklaroi António Kosta, President i Këshillit Europian.
Presidenti Kosta do të vizitojë gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor, duke filluar në Sarajevë të hënën, më 1 qershor. Të martën, më 2 qershor, Presidenti Kosta do të jetë në Tiranë, pastaj do të vizitojë Shkupin për t’u takuar me kryeministrin Mickoski. Të mërkurën, më 3 qershor, Presidenti Kosta do të shkojë në Prishtinë ndërsa të enjten, më 4 qershor, Presidenti Kosta do të vizitojë Beogradin. Turneu do të përfundojë në Mal të Zi.
Më 5 qershor, Presidenti Kosta do të bashkë-kryesojë Samitin BE-Ballkan Perëndimor. Tema qendrore e këtij samiti është “Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”.
Presidenti Kosta do të mbajë konferenca për shtyp në të gjitha kryeqendrat që i viziton.
Me kusht të ndryshimit të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
- LEXO: Eurointegrimet në ngërç, Mickoski: S’ka më lëshime për anëtarësim në BE, jemi të gatshëm ta paguajmë çmimin
- LEXO: Fitorja e Rumen Radevit sjell stabilitet në Bullgari, por jo zgjidhje për Shkupin
- LEXO: “Maqedonas të veriut”, termi që përdori diplomatja bullgare shkaktoi tensione në Shkup, VMRO dhe LSM me akuza