Polici nga RMV-ja u kap me marihuanë dhe kokainë para se të fillonte turnin e natës

Një punonjës i Policisë së Burgjeve në Maqedoninë e Veriut është kapur me marihuanë dhe kokainë para se të fillonte turnin e natës, raporton Portalb.mk.

Prokuroria informoi se gjatë kontrollit të djeshëm para fillimit të turnit të natës në punë, te i dyshuari u gjetën lëndë narkotike, përkatësisht: lëndë bimore – marihuanë në një sasi prej 73 gramësh dhe lëndë pluhur e bardhë – kokainë në një sasi prej 50 gramësh.

” I dyshuari e mbante drogën, të paketuar në formën dhe madhësinë e dy topave të tenisit, të fshehur në të brendshme, me qëllim shitjen e saj te personat e dënuar në Burgun e Idrizovës”, informoi Prokuroria.

Prokuroria ka lëshuar urdhër zhvillimin e procedurës hetimore kundër policit për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ai ka kryer veprën penale ‘prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”.

Duke marrë parasysh rrethanat që tregojnë rrezik arratisjeje nëse i dyshuari mbrohet nga liria, si dhe se ai do ta pengojë procedurën penale duke ndikuar te dëshmitarët, si dhe se ekzistojnë rrethana të veçanta reale që justifikojnë frikën se i dyshuari do ta përsërisë krimin, prokurori në fjalë i paraqiti propozim gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.

Ky është rasti i tretë në të cilin policët e burgut kapen duke kryer këtë krim.