Përrallë ezopiane

– Limi ti! – i tha Sizifi Musait.

– Grigja jote ta ha fjalën. Unë duhet ta arrijë majen bashkë me këta. Dhe, siç e sheh: e hëngra.

– Jepi, jepi, vëlla Sizif! Mbase kësaj here ia dalish.

Dhe Sizifi vazhdoi ta mbushë shoshën me ujë.

Mushka, sërish, pak para se ta prekë majen, ramti-dumti e në vijën e vendnisjes, se është inatçore ajo.

– Mule, Sizif! – i tha Musai i ulur mbi një gur. Deshi t’i japë kurajë dhe t’ia mbush mendjen se edhe për këtë rrokullisje janë fajtorë të tjerët, por…

– E kotë – iu përgjigj Sizifi. Kush i gjenë më në atë përshesh mushkash turlifare që janë në fazën e njësimit të rrashtave. Mund ta marr gabimisht ndonjë mushkë tjetër.

– I gjenë ti, i gjenë! Mushkat tua janë specifike. Mbajnë plisa të bardhë në kokë. Këndojnë me lahutë…

– Qenke hallakatur, o plak i urtë! Malukati për të cilin flet ti nuk jeton më në Tun-batun. Mbi ta ra mallkimi: Dy bashkë mos u bëfshi! Ndaj edhe atyre, që pak më parë fuftuan teposhtëzës, u ka mbetur vetëm edhe gjuhën ta bëjnë kala-mala dhe…

Musai u mallëngjye dhe qau. Nga kokrrat e lotëve mezi kapi siluetën e një plaku të thinjur.

– O, Perëndi! At Gjergj Fishta! – belbëzoi Musai.

Fshiu lotët dhe bërtiti të madhe:

– U bëtë dy, Syzifoo!, por sakaq ia copëtoi shpirtin shikimi mallëngjyes i Fishtës, i  cili nën sqetull mbante një thes të mbushur me pleshta.

Këtë skenë e pa dhe Sizifi i dënuar për ta shty përjetësisht në majen e kodrës gurin kokëmushkë, që, për inatin  a qejfin e kushedi se kujt, vetërrokulliset në greminë. Megjithatë, në dallim nga Musai, nuk u befasua fare. Ai e dinte se vëllai i tij Fishta, e kishte kuptuar prej kohësh se është më kollaj të mbushësh një thes me pleshta sesa të bësh bashkë dy shqiptarë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.