Përfundoi muri tjetër në rrugën për në Banjën e Tetovës

Ka përfunduar një pjesë tjetër e murit mbajtës përgjatë rrugës së Banjës së Tetovës, raporton Portalb.mk.

Ky mur do të shërbejë si mbrojtje nga rrëshqitjet e dheut të cilat janë të shpeshta në veçanti gjatë vjeshtës dhe dimrit.

“Sot, promovuam murin e ri mbajtës, i cili shërben për mbrojtje nga rrëshqitjet e dheut. Jemi këtu për të ofruar siguri dhe rehati, veçanërisht gjatë muajve të verës, kur kjo rrugë është më e frekuentuar”, tha kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami.

Kujtojmë që edhe në pjesë tjera përgjatë kësaj rruge ndodhin rrëshqitje të dheut dhe gurëve.

Paraprakisht në dhjetor 2023 përfundoi muri mbajtës në pjesën më kritike të kësaj rruge, ku rrëshqitjet e dheut janë të shpeshta.

Rruga për në Banjën e Tetovës, u rregullua në vitin 2017, megjithatë vazhdimisht ka pasur shembje të tokës përreth, duke bllokuar pjesërisht apo tërësisht kalimin.