Për tre muaj autobusët e Ndërmarrjes Publike Qarkulluese në Shkup kanë pasur 49 aksidente trafiku

Lotët e shoferit që me autobusin e Ndërmarrjes Publike Qarkulluese “Shkupi” shkaktoi vetëaksident të hënën, kanë ngjallur debat se sa është i sigurt transporti publik në Shkup, shkruan Sitel, përcjell Portalb.mk.

Vetëm sot, gjatë kontrolleve të rregullta, policia ka gjetur dy autobus që po lëviznin, derisa nuk ishin në gjendje të rregullt.

“Në kontrollet e jashtëzakonshme teknike janë dërguar dy autobus të transportit publik të udhëtarëve, njëri prej të cilëve ishte pronë e NQP – Shkup dhe njëri pronë e një transportuesit privat, tek të cilët gjatë kontrollit të kryer është konstatuar parregullsi teknike, ashtu që të njëjtit janë larguar nga komunikacioni”, deklarojnë nga Policia.

Ndërmarrja theksoi që çdo automjet i tyre çdo ditë pas kryerjes së punës, kontrollohet dhe i bëhet një kontroll i vogël teknik. Ata theksuan që nga mëngjesi, Policia është duke kryer kontrolle të jashtëzakonshme, por rezultatet akoma nuk dihen.

Për tre muaj, automjetet e NQP-së kanë pasur 49 aksidente trafiku, ashtu që 9 aksidente janë shkaktuar për shkak fajit të shoferit, te 19 tjera ka qenë fajtor një pjesëmarrës tjetër, ndërsa në shumicën e aksidenteve nuk është përcaktuar fajtori. Në këto aksidente janë lënduar gjithsej 10 persona.

Raportohet që ka pasur edhe 149 incidente, ku më së shumti janë dëmtuar autobusët, duke mos anashkaluar edhe sulmet ndaj shoferëve.

Sipas raportit, nga janari deri në mars, janë kryer dy kontrolle të përgjithshme dhe një gjysmëkontroll.

Na japin të vozisim autobusë me defekt, prandaj autobusi doli nga rruga dhe u përplas në rrethojën prej betoni afër QT “Mavrovka”, tha shoferi Ferzi Arifi pas incidentit të ndodhur në linjën numër 2. Arifi e tha këtë në konferencë për media para selisë së NTP “Shkup” e cila  u organizua nga Konfederata e Organizatave Sindikaliste të Maqedonisë (KOSM).

Më 8 korrik, një aksident i pazakontë trafiku ka ndodhur para Mavrovkës në Shkup. Një autobus i NTP-së u përplas në rrethojën mbrojtëse prej betoni, ku ngelën të lënduar disa udhëtarë, ndërsa komunikacioni u bllokua për disa orë.