Për një muaj në RMV janë dhënë 304 leje ndërtimi për objektet në vlerë mbi 5 miliardë denarë

Në Maqedoninë e Veriut gjatë muajit nëntor janë dhënë 304 leje ndërtimi për objektet në vlerë të përgjithshme 5 400 888 000 denarë. Më shumë se 1/3 e lejeve janë për rajonin e Shkupit, transmeton Portalb.mk.

“Gjatë muajit nëntor  të 2025 janë dhënë 304 leje ndërtimi, që është për 16.9 % më shumë krahasuar më muajin e njëjtë të vitit paraprak. Sipas lejeve të dhëna për ndërtim, vlera e paraparë e objekteve është  5 400 888 mijë denarë, që është për 27.1% më shumë krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave.

Më së shumti leje ndërtimi janë dhënë për objektet e larta (68.4 %), ndërsa për rikonstruim 20.4 %. Në 53.3 % të lejeve të ndërtimit, si investitor janë personat fizik.

“Në periudhën raportuese është paraparë ndërtimi i 761 banesave, me sipërfaqe të përgjithshme prej  67 767 m2”, raporton Enti Shtetëror i Statistikave.