Pendarovski në mbështetje të iniciativës për krijimin e një programi gjithëpërfshirës kombëtar “Përkrahje për fëmijët dhe të rinjtë e talentuar”

Presidenti Stevo Pendarovski sot realizoi takim me matematikanët dhe fizikanët e rinj të talentuar dhe me përfaqësues të Drejtorisë për zonat zhvillimore teknologjike industriale, transmeton Portalb.mk.

Në takim u diskutua për rrjedhën e nismës “Mbështetja e ekselencës shkencore dhe teknologjike mes nxënësve dhe të rinjve”, qëllimi i së cilës është krijimi i një platforme përmes së cilës institucionet shtetërore, sektori privat, organizatat ndërkombëtare dhe kompanitë përgjegjëse shoqërore, së bashku do të kontribuojnë për avancimin e mundësive për të rinjtë për të realizuar potencialin e tyre. Gjithashtu, në takim u theksua se do të krijohet një fond që do të stimulojë dhe financojë fëmijët dhe të rinjtë e talentuar me fokus shkencën, teknologjinë dhe inovacionin.

Në këtë drejtim, përfaqësuesit e ZZhTI theksuan se tashmë është dhënë mbështetja e parë për ekipin e nxënësve të shkollave të mesme të përbërë nga matematikanë dhe fizikanë për pjesëmarrjen e tyre në Olimpiadën botërore të matematikës dhe fizikës në Japoni.

Presidenti Pendarovski shprehu mbështetjen e tij për këtë iniciativë, duke theksuar se është për t’u përshëndetur sepse do të mundësojë një model të bashkëpunimit ndërmjet të gjithë aktorëve relevantë në vend, i cili përmes investimeve dhe mbështetjes për fëmijët dhe të rinjtë e talentuar do t’u sigurojë atyre kushtet e nevojshme dhe burimet për zhvillimin e aftësive të tyre.