“Bllagoja Toska” u hap, por nuk dihet kur do të vazhdohet në dy anët tjera

Pas shumë viteve dhe premtimeve të njëpasnjëshme, bulevardi “Bllagoja Toska” u hap dhe u lëshua në përdorim për qytetarët. Por, qytetarët kërkojnë që bulevardi të vazhdohet edhe në dy pjesë. Nga Komuna e Tetovës për momentin nuk kanë diçka konkrete në këtë drejtim, shkruan Portalb.mk.

Qytetarët kërkojnë që bulevardi “Bllagoja Toska” të vazhdohet në dy pjesë me qëllim që i njëjti të lidhet me dy segmente të rëndësishme rrugore. Gjegjësisht, prej te shkolla e mesme tekstile “Gjoce Stojçeski” deri te rreth-rrotullimi ku lidhet me bulevardin “Ilinden”, si dhe te pjesa nga Kazerma e Tetovës me lagjen “Drenovec”, konkretisht me rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë.

Për këtë, Portalb.mk përgatiti vizualizim në hartë për pjesët në të cilat duhet të vazhdohet rruga.

Bulevardi "Bllagoja Toska" në Tetovë (pjesët ku duhet të vazhdohet dhe pjesa e mbaruar). Foto e edituar nga Portalb.mk
Bulevardi “Bllagoja Toska” në Tetovë (pjesët ku duhet të vazhdohet dhe pjesa e mbaruar). Foto e edituar nga Portalb.mk

Për atë se kur qytetarët mund të presin që kjo të realizohet, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami theksoi se fillimisht duhet të porositet projekt për të parë vlerën ndërsa më pas të gjenden edhe mjetet për ta vazhduar bulevardin, ndonjë afat konkret kohor nuk ka ende.

“Ka projekt themelor, duhet të porosisim elaboratin për eksproprijimin e pronave, të bëjmë një konstruksion financiar sa do kushtojë eksproprijimi dhe sa do kushtojë realizimi i projektit dhe të shohim fonde përmes të cilave do të vazhdojmë realizimin e këtij segmenti”, tha Kasami.

Më 21 qershor 2023, pas shumë zvarritjesh, autoritetet komunale e hapën zyrtarisht bulevardin “Bllagoja Toska”.

Premtimet për përfundimin e këtij bulevardi datojnë gati se para një dekade, i njëjti çdo herë është premtuar para zgjedhjeve, ai është edhe pjesë e Programit Zgjedhor 2021-2025 për Tetovën të kryetarit aktual të Komunës së Tetovës.

Së bashku me këtë bulevard, në program është edhe hapja e dy bulevardeve tjera, atë të “Ilinenit” dhe “Vidoe Smilevski Bato” (Industrial), për të cilat nëntorin e vitit 2022 Kasami deklaroi se kanë filluar procedurat për vazhdimin e tyre, megjithatë afate konkrete deri më tani nuk ka.

Ndryshe, Tetova ka katër bulevarde: “Iliria”, “Ilinden”, “Industrial” dhe “Bllaogoja Toska”.