Pendarovski hodhi gacë të nxehtë në duart e partive – kush ka kërkuar amnisti për Gruevskin?

Pasi presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski në emisionin “Triling” tha se në nivel joformal, para 7-8 muajsh “prej disa nga aktorët e skenës politike” është konsultuar rreth amnistisë eventuale të ish kryeministrit Nikolla Gruevski, sot partitë politike me tezat e tyre sërish e kanë nxehur temën, shkruan Meta.mk.

Pendarovski në emision theksoi se nuk ka qëllim që ta amnistojë ish kryeministrin, pasi që sipas tij, ajo do të ishte shkatërrim i shtetit ligjor, dhe jo ndryshimet e Kodit Penal, të cilat i ka nënshkruar.

“Para shtatë-tetë muajsh, në nivel jo formal, disa aktorë të skenës politike më konsultuan rreth kësaj mundësie, se çfarë mendoj rreth kësaj mundësie. U thash në mënyrë të prerë se, nuk do ta bëja asnjëherë atë, sepse ajo do të ishte rrënim i shtetit ligjor. Ai lloj i amnistimit është në Kushtetutë, por unë nuk mendoj se jam sulltan apo monark i këtij shteti që për vepra të tilla penale, të gjykojë vet dhe të vendosi çfarë është e drejtë dhe çfarë jo”, deklaroi Pendarovski.

Në pyetjen nëse personat që janë drejtuar te Pendarovski janë drejtuar edhe në LSDM, nga partia thonë se “nuk ekziston pazar për çfarëdolloj amnistie”.

“Opinioni shumë mirë e di, ka pasur raste kur kemi biseduar me DPMNE-në, për shembull për ligjin e Prokurorisë publike dhe për ligjet tjera ku duhej të bëhej ndonjë kompromis, gjithmonë, ata kanë hapur raste gjyqësore të cilat kanë dashur që t’i diskutojnë. Ne atë nuk e kemi pranuar dhe nuk do ta pranojmë as në të ardhmen. Për atë edhe nuk kemi arritur që të merremi vesh me DPMNE-në në vitin 2020, pasi që kanë ardhur në bisedime me lëndë gjyqësore, por ato ne nuk i pranojmë. Nuk ka tregti për çfarëdolloj amnistie, e as çfarëdolloj tregtie rreth drejtësisë dhe rasteve gjyqësore”, thanë nga LSDM.

Nga VMRO-DPMNE kanë kërkuar që Pendarovski “të ndalojë që të shërbehet me lajthitje, por qartë të dalë në opinion për atë që është konsultuar me atë për amnisti”.

“Në të kundërtën do ta vlerësojmë si edhe një gënjeshtër të plasuar prej tij. Për fat të keq, presidenti i shtetit është fikus i pushtetit dhe president gënjeshtar”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Nga Kabineti i Presidentit ndaj kësaj u përgjigjën se VMRO-DPMNE është parti që ka mbështetur president të shtetit i cili ka qenë fikus i shtetit.

“Gjithmonë kur zihen në rrugë të pazgjidhur, VMRO-DPMNE në vend që me fakte, shërbehet me ofendime. Qytetarët e Maqedonisë shumë mirë e dinë se presidenti i vetëm në historinë e Maqedonisë i cili ka qenë “fikus i pushtetit” është mbështetur 10 vjet nga VMRO-DPMNE”, thuhet në reagimin e Kabinetit të Presidentit.

Kryetari i opozitares Alternativa, Afrim Gashi, vlerëson se presidenti Stevo Pendarovski e ka dhënë përgjigjen ndaj pyetjes që prej disa ditësh “nëse njeriu i parë i BDI-së, Ali Ahmeti ka kërkuar amnisti për ish kryeministrin Nikolla Gruevski”.

Përndryshe, partitë opozitare shqiptare disa herë kanë deklaruar se mbrapa ndryshimeve të Kodit Penal qëndron skenari për amnistimin dhe kthimin e Gruevskit nga Budapesti si njeri i lirë me qëllim që të sigurohet mbështetje për ndryshimet kushtetuese. Këto pretendime i mohojnë përfaqësuesit e pushteti edhe opozitës.

Ndryshimet lidhen me 38 nene të Kodit Penal, nga të cilët qeveria tha se 35 janë për përputhje me direktivat e BE. Ajo që shkaktoi një stuhi reagimesh negative në opinion është se ndryshimet përfshinin ndryshime në nenet që kanë të bëjnë me shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare (neni 353) dhe bashkim kriminal (neni 394). Me votimin, deputetët ulën dënimet e parashikuara për të dyja veprat, vendosën kufirin maksimal të dënimit dhe shfuqizuan një paragraf nga neni për shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare. Duke vepruar kështu, ata parashikuan vjetërsimin e mëhershëm të veprave kriminale.

Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërsimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.