Pejë, dyshohet se një grua u vra nga bashkëshorti i saj

Një grua dyshohet se është vrarë me armë zjarri nga bashkëshorti i saj në banesën e tyre në Pejë.

Kështu konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, Shkodran Nikqi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë.

Nikqi tha se i dyshuari është arrestuar dhe i është konfiskuar arma.

“Jemi në pritje të Institutit të Mjekësisë Ligjore që të tërheqë trupin e pajetë” nga vendi i ngjarjes, tha ai.

Osmani: Nuk kemi jetë vajzash dhe grash për të humbur

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë pjesëmarrjes në një ngjarje në Prishtinë, dënoi vrasjen në Pejë, duke theksuar se të gjithë e kanë për detyrë të mbrojnë gratë dhe vajzat.

“Fatkeqësisht, sot të gjithë jemi zgjuar në mëngjes me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të një gruaje nga bashkëshorti i saj. Ky fenomen i tmerrshëm që po e plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid i cili për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duhet të ndalet me çdo kusht. Dhe, mënyra e vetme për ta ndaluar atë është në qoftë se rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet, e si komb. Rizgjohemi sërish në këmbë kundër këtij fenomeni sepse nuk kemi jetë vajzash e grash për të humbur”, tha Osmani.