Pas vonesës disa ditore, në RMV filloi sot pagesa e të drejtave sociale dhe të mbrojtjes së fëmijëve

Pas vonesës disa ditore, sot filloi pagesa e të drejtave sociale, të fëmijëve dhe të mbrojtjes civile për muajin maj të këtij viti. Përfituesit e të drejtave monetare, të cilët posedojnë kartelë debitore do të mund të tërheqin para në bankomatet e bankave, t’i shfrytëzojnë mjetet për pagesa pa para të gatshme në rrjetin e shitjeve ose përmes bankave elektronike dhe atyre mobile, informoi Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, transmeton Portalb.mk.

Po ashtu, përfituesit, të cilët nuk përdorin kartela, nga sot, do të jenë në gjendje t’i tërheqin mjetet e tyre nga të gjitha filialet dhe ekspoziturat e hapura të bankave.

Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë më 6 qershor informoi se gjatë zbatimit të një zgjidhjeje të re softuerike, e cila synon modernizimin e proceseve për përpunimin dhe pagesën e të drejtave të mbrojtjes sociale dhe fëmijëve në qendrat për punë sociale, kanë lindur disa probleme të paparashikuara. Për shkak të tyre, tha se, pagesa e ndihmës sociale do të vonohet.

“Bëhet fjalë për një reformë të rëndësishme, që ka për qëllim rritjen e efikasitetit, sigurisë dhe cilësisë së shërbimeve që marrin qytetarët. Gjatë procesit të harmonizimit teknik dhe migrimit të të dhënave janë paraqitur sfida të caktuara të paparashikuara, të cilat kanë shkaktuar zgjatjen e afatit për përpunimin e të dhënave dhe, si pasojë, vonesën e pagesës së përfitimeve financiare nga mbrojtja sociale dhe e fëmijëve për disa ditë”, thuhej në njoftim.