Sonte nis edicioni i 15-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit WatchOut! në Tetovë

Me moton “Sytë e mbyllur egërsisht”, sonte, më 10 qershor, në Tetovë nis edicioni i 15-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit WatchOut!, i cili do të zgjasë deri më 12 qershor. Hapja zyrtare do të mbahet në ora 20:00, në Amfiteatrin përballë Muzeut të Partisë Komuniste në Tetovë. Në ceremoni janë paraparë fjalime përshëndetëse nga përfaqësues të Goethe-Institut dhe drejtori i Qendrës për Bashkëpunim Ballkanik LOJA, Bujar Luma. Po ashtu, gjatë hapjes do të ndahen edhe çmimet për filmat fitues të këtij edicioni, shkruan Portalb.mk.

Në konferencën për shtyp, drejtori i Qendrës LOJA, Bujar Luma, tha se edhe programi i sivjetshëm është shumë i pasur dhe është vendosur në kontekstin e zhvillimeve aktuale në vend, rajon dhe botë.

“Programi i sivjetshëm është i vendosur në kontekstin e zhvillimeve që po ndodhin këtë vit. Motoja e festivalit është ‘Sytë e mbyllur egërsisht’, si reagim ndaj realitetit që po ndodh sot në vendin tonë, në rrethinën tonë, por edhe në botë në përgjithësi. Edhe filmat janë pak a shumë të kësaj natyre”, tha Luma.

Këtë vit, WatchOut! trajton imazhin si hapësirë të kontestuar dhe si fushëbetejë ku çdo kuadër përpiqet të përcaktojë realitetin. Sipas organizatorëve, festivali synon të promovojë një kinematografi të drejtpërdrejtë, të papërpunuar dhe të guximshme, në një kohë kur e vërteta shpesh shtrembërohet dhe riformësohet.

Për edicionin e sivjetshëm janë pranuar 399 filma nga 62 shtete dhe 6 kontinente, çka dëshmon interesimin e madh ndërkombëtar për këtë festival.

Juria, e përbërë nga Anna Bernhardt nga Gjermania, Robert Alagjozoski nga Maqedonia e Veriut dhe Ylljet Aliçka nga Shqipëria, ka shpallur fituesit në tri kategori. Çmimi për filmin e shkurtër artistik i është ndarë filmit “Until God Wills It” të regjisorit David Fernández nga Spanja. Në kategorinë e filmit eksperimental dhe animacionit është shpërblyer “Sulaimani” nga Vinnie Ann Bose nga Franca, ndërsa çmimi për filmin dokumentar i është ndarë filmit “Istanbul Convention Keeps Alive!” të regjisores F. Esra Yıldız nga Turqia.

Gjatë festivalit do të organizohen edhe punëtori në Qendrën LOJA, të udhëhequra nga regjisorja F. Esra Yıldız dhe aktori spanjoll Iñigo Salinero.

Shfaqjet e filmave do të mbahen për tri net me radhë, duke filluar nga ora 20:00. Në rast të kushteve të pafavorshme atmosferike, projekcionet do të zhvendosen në hapësirat multifunksionale të Qendrës LOJA.

Të gjithë filmat do të shfaqen në versionin origjinal, me titra në gjuhën angleze, ndërsa hyrja për publikun është falas.

WatchOut! Tetovo Film Festival organizohet nga Qendra LOJA, me mbështetjen e Goethe-Institut Shkup dhe KURVE Wustrow, në kuadër të projektit CPS përmes BMZ.