Pas dy javësh pezullim, qarkullimi hekurudhor në RMV u normalizua

Nga mbrëmë në vend ka filluar qarkullimi hekurudhor i mallrave, ndërsa nga e marta do të nisin edhe trenat e udhëtarëve. Kjo është marrëveshja që punëtorët kanë arritur me menaxhmentin e Hekurudhave të RMV-Transport. Është arritur marrëveshja për ndërprerjen e bojkotit të stafit mekanik, por edhe për rregullimin në pagesën e pagave, transmeton Portalb.mk.

Gjithashtu është rënë dakord që menaxhmenti të tërheqë pezullimet për kolegët dhe të mos ketë sanksione ndaj punonjësve që iu bashkuan bojkotit dy javë më parë, për shkak të pjesës së dytë të papaguar të pagës për muajin korrik.

Bojkoti i personelit mekanik në Hekurudhat e RMV-Transport filloi më 25 gusht dhe me këtë u ndërprenë qarkullimi i të gjithë trenave të mallrave dhe udhëtarëve në vend. Nga pezullimi i transportit janë prekur kompanitë që importojnë dhe eksportojnë mallra përmes hekurudhave, por edhe qytetarët nga vendbanimet më të vogla, për të cilët trenat janë mjeti i vetëm i transportit publik me Shkupin, Velesin dhe Prilepin.