“Para, media dhe zgjedhje“: Kërkohen ndryshime urgjente në Kodin Zgjedhor të RMV-së dhe mbikëqyrje ndaj parave buxhetore në portale

Ndryshime urgjente në Kodin Zgjedhor para zgjedhjeve lokale që do të mbahen vitin e ardhshëm, mbikëqyrje dhe kontroll mbi portalet online që marrin para buxhetore për reklamimin e partive politike për zgjedhjet dhe heqje e reklamave politike me pagesë nga Buxheti i shtetit. Këto ishin pikat dhe propozimet kryesore të zyrtarëve të Entit Shtetëror të Revizionit (ESHR), Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) dhe Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA) në ditën e parë të konferencës “Para, Media dhe Zgjedhje në Maqedoninë e Veriut”, organizuar nga Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES) në bashkëpunim me Fondacionin Metamorfozis, ndërsa me mbështetjen e Zyrës për punë të jashtme, Commonwealth dhe Zhvillim (FCDO) të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, transmeton Portalb.mk.

Ky event dyditor ka për qëllim që në një vend të mbledhë ekspertë, politikanë dhe përfaqësues të shoqërisë civile për ta hulumtuar ndërveprimin mes parasë, mediave dhe politikës në procesin zgjedhor në vend.

“Motivimi ynë kryesor për t’ia nisur kësaj pune, hulumtimit të shpenzimit të parave publike dhe mediave ishte, vërtetë një nder dhe një sfidë. Nëse duam të kemi demokraci, atëherë ajo duhet të bazohet në ndërtimin e besimit, e për të pasur besim duhet të ketë llogaridhënie”, tha Filip Stojanovski, koordinator i programeve në Fondacionin Metamorfozis.

Gjatë zgjedhjeve të këtij viti është arritur rekord prej 1.417 orëve të reklamimit të paguar politik

Për reklamim të paguar politik nga Buxheti i shtetit ndahen shumë para, për çka dëshmon fakti se për zgjedhjet e fundit parlamentare dhe presidenciale KSHZ në regjistrat e tij ka regjistruar 39 televizione, 38 radio, 11 media të shtypura dhe gjithsej  251 portale online.

“Rreziku jashtëzakonisht i lartë nga korrupsioni vjen edhe nga fakti që të dhënat për strukturën e pronësisë dhe redaksinë e mediave të caktuara online janë jotransparente. Dhe mbi të gjitha, në Kodin Zgjedhor mungojnë dispozitat për reklamimin në rrjetet sociale. Agjencia ka vërejtje serioze për dispozitat e Kodit Zgjedhor në fushën e prezantimit në media në përgjithësi dhe dispozitat për RPP në veçanti. Disa herë deri më tani kemi theksuar publikisht se vetë Kodi Zgjedhor është burim rreziqesh zgjedhore për shkak të vendimeve të caktuara, paqartësive dhe mospërputhjes së dispozitave. Jemi të mendimit se nevojitet një revizion i plotë i tij ose miratimi i një Kodi të ri”, tha Zoran Trajçevski, drejtor i ASHMAA.

Ai theksoi se vëllimi i reklamave politike me pagesë nga viti në vit po rritet. Pra, gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të vitit 2020 në televizion dhe radio së bashku janë transmetuar gjithsej 470 orë reklama. Për zgjedhjet lokale të vitit 2021, në të dy raundet e kombinuara, janë transmetuar gjithsej 765 orë reklama politike me pagesë tek të gjithë transmetuesit. Për zgjedhjet e vitit 2024 (parlamentare dhe presidenciale) pati një vëllim rekord të reklamave politike të paguara në programet e transmetuesve – gjithsej rreth 1.417 orë (850 orë për dy raundet e zgjedhjeve presidenciale dhe 567 orë për zgjedhjet parlamentare), për gjithsej 31 ditë të fushatës zgjedhore.

Maksim Aceski, drejtori i Entit Shtetëror të Revizionit theksoi se pjesëmarrja e tyre në grupin e punës për Ministrinë e Drejtësisë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor ka qenë vetëm një “humbje klasike e kohës”.

“Kulaçin e reklamave politike me pagesë (RPP) e marrin partitë më të mëdha politike. Bëhet fjalë për shuma të mëdha parash, aq më tepër që edhe partitë kanë mundësi t’i transferojnë nga llogaria e rregullt e partisë”, thotë Acevski.

Për zgjedhjet presidenciale, për shtatë pjesëmarrës ka pasur 7 milionë euro shpenzime për reklama, ndërsa për zgjedhjet presidenciale – për 17 pjesëmarrës, ka pasur 6,1 milionë euro shpenzime për këtë qëllim.

Nga këto para, për zgjedhjet presidenciale, 74 përqind kanë shkuar për televizionet, 7 përqind për radiot, 19 përqind për portalet online dhe 1 përqind për gazetat. Për zgjedhjet parlamentare, nga ana tjetër, 73 përqind e parave të reklamave  kanë shkuar për televizionet, 6 përqind për radiot, 20 përqind për portalet dhe 2 përqind për gazetat.

“A ka nevojë të shpenzohen këto para? Ato nuk e japin efektin e dëshiruar”, thotë Acevski dhe shton se në Kodin Zgjedhor janë regjistruar dhjetëra dobësi. Si ndër më kryesoret ai e theksoi  rishqyrtimin e mundësisë së financimit të fushatës nga llogaria e rregullt e partisë dhe caktimin e një organi kompetent për portalet online, me qëllim që të bëhet rregullimi i kushteve për ndarjen e mjeteve nga Buxheti për reklamat zgjedhore.

“Zgjedhjet lokale do të mbahen në vitin 2025, pra nuk janë më 5 në 12, por tashmë është 12 e 5. Të mos lejojmë që Kodi Zgjedhor të ndryshohet gjysmë viti para zgjedhjeve”, thotë Acevski.

Kondarko: Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve nuk mund të merret me financat

Kryetar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Boris Kondarko, parashtroi pyetjen nëse KSHZ-ja duhet të jetë organ kompetent që të merret me financat.

“KSHZ-ja i organizon dhe i zbaton zgjedhjet, e nuk duhet të merret me raportet financiare dhe paratë ”, thotë Kondarko, duke shtuar se propozimi i vitit 2019 ka qenë që me financat për zgjedhjet të merret Ministria e Financave.

“Nuk them se doemos duhet të jetë Ministria e Financave, por ne nuk kemi staf që të merremi me këto çështje. Humbasim kohë dhe energji, në vend që të realizojmë zgjedhje”, thotë Kondarko.

Në zgjedhjet e fundit në dy ciklet zgjedhore janë shpenzuar 13,7 milionë euro. Nga këto para, 77 përqind për zgjedhjet presidenciale dhe 64 përqind për zgjedhjet parlamentare kanë qenë mjete nga buxheti i shtetit. Për reklamat politike me pagesë, 85 përqind e këtyre parave janë shpenzuar për zgjedhjet presidenciale, ndërsa 77 përqind për zgjedhjet parlamentare.

Cveta Ristovska, anëtare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, theksoi se 20 përqind e portaleve dhe 60 përqind e televizioneve nuk kanë dorëzuar raporte financiare për atë se si janë shpenzuar paratë që i kanë marrë nga shteti përmes pjesëmarrësve në zgjedhje.

“Nëse reklamat politike me pagesë mbeten, atëherë duhet të përmirësohen kriteret se si ndahen paratë. Krahas kësaj, problem mbetet edhe mundësia e donacionit në llogaritë e partive pas përfundimit të rezultateve zgjedhore. Dhe në fund, duhet të dihet se cilat kushte duhet t’i plotësojë një portal që të mund të marrë pjesë në reklamimin politik me pagesë, sepse mungon mbikëqyrja dhe kontrolli”, thotë Ristovska.

Sam Power, ekspert ndërkombëtar për financimin politik dhe partiak, duke bërë një paralele me vendet e tjera evropiane tha se Maqedonia e Veriut ka një shkallë të lartë të financimit shtetëror, por se kjo është një praktikë e pranuar në të gjithë Evropën.

“Me këtë pranohet që partitë politike bëjnë një punë të mirë publike dhe se politika është e drejtë dhe korrekte. Ajo që është e vështirë dhe problematike është mbikëqyrja, sepse duhet të ketë rregulla të qarta”, tha ai.

Power është një nga folësit në ditën e dytë të konferencës “Para, Media dhe Zgjedhje në Maqedoninë e Veriut” në të cilën do të diskutohen çështjet për mbikëqyrjen e portaleve online gjatë fushatave zgjedhore në Maqedoninë e Veriut dhe për krahasimin mes Maqedonisë dhe vendeve evropiane sa i përket financimit politik dhe partiak. Gjithashtu, do të trajtohen edhe temat për mbulimin dhe prezantimin e çështjeve të grave dhe barazisë gjinore nga portalet online gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024 dhe përfshirja sociale në mediat online dhe reklamat zgjedhore.