Pandov nënshkroi kërkesën për pezullim të përkohshëm të dënimeve me burg të të dënuarve e 27 prillit, përfshirë Mitko Çavkovin

“Si u.d drejtor, e vetmja gjë që mund të bëj është nëse kërkesë nga ndonjë i burgosur që do të dorëzojë dokumentacionin se ka një problem akut shëndetësor, të firmosur nga një specialist, që duhet të kryejë një procedurë shëndetësore, nuk kam të drejtë ta refuzoj. Fakt është se disa, tani mos më kapni për fjale, për tre-katër-pesë, ndërkohë kryej detyrën kanë ardhur kërkesa të tilla dhe janë nënshkruar kërkesa të tilla”, tha Pandov, transmeton Portalb.mk.

I pyetur nga gazetarët se a janë të gjitha miratimet për të dënuarit për 27 prill, Pandov thotë:

“Ka një ose dy që nuk janë. Mirëpo, për mua është për t’u habitur që praktikë ishte që duhej të kontrollohej nga punonjësit e administratës dhe ata ma dërgojnë atë – a duhet të jetë pozitive apo negative. Nëse ka sëmundje akute që duhet trajtuar, raste të tilla janë refuzuar në të kaluarën. Unë nuk do ta bëj këtë”, tha ai.

Televizioni Telma, duke iu referuar burimeve nga Drejtoria për Ekzekutim të Sanksioneve, raportoi se në mesin e të dënuarve nga “27 Prilli” të cilëve Pandov ua ka nënshkruar kërkesat për pezullimin e vuajtjes së dënimit është edhe ish-ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov, i cili sot lirohet nga burgu, dhe se nga prapa hekurave po del edhe i dënuari Dushko Lazarov.

Administrata e burgut informon Telmën se shumica e kërkesave që janë miratuar janë për fizioterapi.

Pandov sot ka thirrur një konferencë për media në të cilën ka folur gjerësisht për kontrollin e jashtëzakonshëm që ka bërë të premten mbrëma në burgun “Shkupi” në Shutkë, për të cilin ka thënë se është “hotel shkuji (promaja)”.

Nga LSDM-ja reaguan se konferenca e sotme për media kishte të bënte me ngritjen e mjegullës mediatike, me të cilën Pandov donte të mbulonte lirimin e të dënuarve nga 27 prilli.

“Një akt skandaloz uzurpimi i institucionit. Në vetëm dy javë në drejtimin e Pandovit, nga burgu i Shtipit, 4 të dënuar për 27 prillin janë lëshuar në ndërprerje të mbajtjes së dënimit? Si u lirua Jane Çento, i dënuar për dhunën e 27 prillit me nënshkrimin e tij? Si u lirua Aleksandar Janevski Toshta, po ashtu i dënuar? Si u liruan nga burgu i Shtipit të dënuarit Oliver Popovski dhe Mitko Peshov? Si ka mundësi që me nënshkrimin e Pandovit dikush të ketë pushim në 30 ditë dënim? Këto janë pyetjet të cilave duhet të përgjigjet Pandovi”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Për këtë situatë kanë reaguar edhe nga opozita shqiptare.

“Ndryshimi” solli lirinë për dhunuesit e 27 prillit Qeveria VMRO-vLEN çdo ditë po sjell ndryshime, në dëm të shqiptarëve, qytetarëve në përgjithësi dhe vetë shtetit. Drejrori i sanksioneve, i emëruar nga VMRO-DPMNE dhe mik i afërt i liderëve të koalicionit vLEN, ka pezulluar vuajtjen e dënimit për disa nga të dënuarit në ngjarjet e 27 prillit të vitit 2017, në mesin e tyre edhe Mitko Çavkov. Kjo ndodh në një kohë, kur zyrtarë të lartë qeveritarë vazhdimisht paralajmërojnë dhe po ekzekutojnë largimin e shqiptarëve nga administrata shtetërore, paralajmërojnë “ndryshime” në drejtësi përmes ndërhyrjes në Këshillin Gjyqësor, si dhe masa të tjera që cënojnë çdo të arritur të deritanishme për shqiptarët dhe qytetarët në përgjithësi. Ndërkohë partitë shqiptare që humbën zgjedhjet e fundit parlamentare vazhdojnë që në heshtje të japin amin për çdo veprim të padronëve të tyre”, shkruan Naim Bajrami nga Aleanca për Shqiptarët.

Kujtojmë se nga dhuna e 27 prillit në Kuvend, u lënduan mbi 100 persona në mesin e tyre edhe deputetë dhe gazetarë. Ndër deputetët më së shumti që kanë qenë të lënduar ka qenë Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët, Zoran Zaev i LSDM-së, Oliver Spasovski dhe deputetë të tjerë të LSDM-së.