Pak ditë para nisjes së ‘Qytetit të Sigurt’, në Tetovë u ul kufiri i shpejtësisë në dy bulevarde kryesore

Pak ditë para se të fillojë zbatimi i sistemit ‘Qyteti i Sigurt’, Komuna e Tetovës së bashku me Sektorin e Punëve të Brendshme kanë vendosur të ulin kufirin e shpejtësisë në dy bulevardet kryesore, raporton Portalb.mk.

Shpejtësia maksimale e lejuar nga 50km/h në bulevardin Vidoe Smilevski Bato (Industrial) dhe Ilinden, tani do të jetë 40km/h.

Në terren ka filluar ndryshimi i shenjave të komunikacionit të shpejtësisë.

“Komuna e Tetovës në bashkëpunim me SPB Tetovë ka marrë vendim që para datës një datë kur do fillohet me Safe City, t`i vendos shenjat e komunikacionit, sinjalistikën vertikale me të cilat do kufizohet shpejtësia përgjatë bulevarde ku edhe janë vendosur kamerat e Safe Sity, gjegjësisht në bulevardin “Ilinden” do vendoset shenja ku do tregohet kufizimi i shpejtësisë prej 40 kilometrash, pra dhjetë më pak nga aktualja sepse aty ka qarkullim nxënësish dhe qytetarësh. Në bulevardin “VS Bato” ku ka edhe një kamerë tjetër Safe City, do vendosen edhe aty shenja për kufizim të shpejtësisë2 prej 50 kilometra në orë”, tha Albi Qamili nga Komuna e Tetovës.

Sistemi ‘Qyteti i Sigurt’ do të fillojë të zbatohet nga data 1 shkurt, në ilustrimin më poshtë mund të shihen gjobat për shkeljet që sistemi do të regjistrojë.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kujtojmë se më 23 janar deputetët e Maqedonisë së Veriut miratuan ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje, me të cilin sistemi “Qyteti i Sigurt”.

Sipas partive në pushtet, ky sistem synon të rrisë sigurinë në trafik dhe deri në vitin 2030 të zvogëlojë numrin e aksidenteve. Deputetët e BDI-së dhe LSDM ishin kundër këtij ligji, duke thënë se ka shumë mangësi. Ligji u ankimua në Gjykatën Kushtetuese, dy lëndë janë formuar për të. Po ashtu, dhe qytetarët në një anketë online të Portalb.mk u shprehën të shqetësuar për mangësitë e sistemit, si dënimet e larta, keqpërdorimi i të dhënave personale dhe dilemat për zbatim selektiv.

Kamerat “Qytet i Sigurt” janë të instaluara në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë dhe në korridoret 8 dhe 10.