Pak banorë mbeten në fshatin ukrainas të shkatërruar nga Rusia

Viktor Kalyberda jeton në fshatin Sulyhivka pa ujë dhe drita. Fshati, 170 kilometra nga qyteti Kharkiv, u shkatërrua gjatë agresionit rus që filloi në shkurtin e vitit 2022. Gjatë sulmit të forcave ruse nuk është kursyer asnjë shtëpi. Zëri i Amerikës shkoi në fshatin e braktisur, nga ku janë larguar gjithë banorë, por zoti Kaliberda zgjodhi të kthehej dhe të rifillonte jetën në fshatin e shkatërruar nga lufta.

Kjo është shtëpia e 63-vjeçarit Viktor Kalyberda në fshatin Sulyhivka. Nga ajo që kishte mbetur, ai ndërtoi këtë shtojcë për të jetuar aty.

Fshati Sulyhivka është rreth 170 kilometra nga qyteti Kharkiv. Fshati u bombardua pamëshirshëm gjatë ofensivës së Rusisë në rajonin e Kharkivit në pranverën e vitit 2022. Rreth 200 njerëz jetonin aty, por të gjitha shtëpitë në fshat u dëmtuan rëndë apo u shkatërruan, së bashku me linjat e energjisë elektrike. Zoti Kalyberda thotë se shtëpia e tij ishte një nga të fundit që u shkatërrua.

“Kur u largova, shtëpia ime nuk ishte e dëmtuar; u shkatërrua më vonë. Rusët qëndruan këtu për gjashtë muaj”, thotë ai.

Pas largimit ai shkoi në qytetin Sloviansk në rajonin e Donetskut. Një vit më vonë, ai ishte i pari që u kthye në fshatin e tij.

“Kjo është shtëpia ime”, thotë ai.

Ai zotëron rreth 12 hektarë tokë. Ai kishte pula, pata, lepuj dhe derra, si dhe kultivonte perime.

Për një një vit pas kthimit, ai jetoi pa energji elektrike, duke përdorur llambat me energji diellore të siguruara nga vullnetarët. Linjat e energjisë elektrike u rregulluan në fund të kësaj vere dhe sot vullnetarët i sjellin drithëra dhe bukë, një herë në muaj. Ushtarët ukrainas ndihmojnë gjithashtu.

“Ndërsa ushtarët tanë kalojnë, ata më lënë cigare dhe ndajnë pak ushqim me mua”, thotë ai.

Me kalimin e kohës, tre banorë të tjerë janë kthyer në fshat, të frymëzuar nga shembulli i zotit Kalyberda.

Një prej tyre është 56 vjeçari Serhii Prokopenko. Ai është ish ushtarak që drejtonte një biznes në fshat. Zoti Prokopenko zotëron më shumë se 100 hektarë tokë dhe disa traktorë dhe makina korrjesh. Sot, ai e punon një pjesë të vogël të tokës së tij ku kultivon perime. Ai thotë se pjesa tjetër është e mbushur me mina.

“Vija e frontit ishte shumë afër. Askush nuk po i çminon arat, kanë pastruar disa mina për të rregulluar linjat e energjisë elektrike, por askush nuk po bën asgjë në ara dhe për të dytin vit askush nga ne nuk korr gjë”, thotë zoti Prokopenko.

Kur u rikthyen në fshat ata e dinin se rindërtimi nuk do të ishte i lehtë, megjithatë ata janë të përkushtuar për të qëndruar në fshatit të tyre të vogël dhe për t’i kthyer atij lavdinë e mëparshme.