Padi për 26 persona në Maqedoninë e Veriut, dyshohen se kanë keqpërdorur naftën për ngrohje në shkolla dhe kopshte

Policia e Maqedonisë së Veriut ka paraqitur kallëzim penal ndaj 26 zyrtarëve nën dyshimet se kanë kryer disa vepra penale gjatë blerjes së naftës për ngrohjen e disa institucioneve arsimore, transmeton Portalb.mk.

Ata janë të përfshirë në blerjen e naftës për ngrohje nga Komuna e Shtipit, duke llogaritur që Z.A. është përgjegjësi për personin juridik nga Shkupi, ndërsa L.P. është pronari i subjektit juridike, si bartës i blerjes së naftës nga Komuna e Shtipit për nevojat e çerdheve, shkollave fillore dhe të mesme gjatë periudhës nga viti 2021 deri në vitin 2023.

“Në 35 raste janë dërguar më pak sasi e naftës sesa sasia e faturuar dhe e paguar nga institucionet përkatëse”, sqarojnë nga Policia, duke vlerësuar se me veprimet e tilla e kanë dëmtuar Buxhetin e Komunës së Shtipit me 18 403 386 denarë.

Për keqpërdorim në punën zyrtare, punë të pakujdesshme, ndihmë në kryerjen e veprës penale dhe falsifikim të dokumenteve akuzohet 51 vjeçari Z.A. dhe 43 vjeçari L.P. nga Negotina, 40 vjeçari A.M. nga Shtipi si i punësuar në komunë, 41 vjeçari L.T. nga Negotina si shofer i cisternës me naftë, 62 vjeçari M.A. i autorizuar për pranimin e naftës nga komuna, 63 vjeçari S.K. nga Shtipi si sekretar i komunës dhe 20 persona tjerë nga Shtipi, të cilët janë persona përgjegjës për pranimin e naftës në institucionet publike.