Padi ndaj policit të Maqedonisë së Veriut, nën dyshimet se kundërligjshëm ka marrë mbi 60 mijë denarë

Një punonjës i Policisë së Maqedonisë së Veriut dyshohet se ka marrë mbi 60 mijë denarë në mënyrë të kundërligjshme, para të cilat ishin të parapara për buxhetin e Ministrisë për Punë të Brendshme, transmeton Portalb.mk.

“I denoncuari L.Z., në cilësinë e personit përgjegjës, në harkun kohor nga data 01.01.2022 deri më 05.08.2024, i ka marrë personalisht paratë që duhet të paguajnë në xhiro llogarinë e MPB-së për tarifa administrative nga aplikuesit, për të kryer një shërbim për ta, pra për të bërë një pagesë për tarifat administrative në emër të tyre”, raportoi Policia.

Ndaj të dyshuarit L.Z. është ngritur kallëzim penal për keqpërdorim të pozitës zyrtare, vepër e dënueshme në bazë të nenit 353 nga Kodi Penal. Ndaj të dyshuarit është nisur edhe procedura për largim nga vendi i punës, deri në marrjen e vendimit.

“Ai në mënyrë të kundërligjshme i ka përvetësuar paratë dhe me këtë ka përfituar përfitim në të holla për vete dhe i ka shkaktuar dëm buxhetit të MPB-së në shumë prej 60.950 denarë”, raportoi Policia.