Pacientet më të reja me kancer të qafës së mitrës në Maqedoninë e Veriut janë 18 vjeç
Pacientet më të reja që u diagnostikuan me kancer të qafës së mitrës në Maqedoninë e Veriut janë 18 vjeç, dhe mosha mesatare për diagnozë është 55 vjeç, u njoftua në ngjarjen që shënoi Javën e Ndërgjegjësimit për luftën kundër këtij lloji të kancerit të organizuar nga Shoqata Mjekësore e Maqedonisë dhe Shoqata Maqedonase për Patologjinë e Qafës së Mitrës, raporton SP, transmeton Portalb.mk.
Numri i grave që vuajnë nga kjo sëmundje në vend është duke u rritur. Në vitin 2024, në Klinikën e Onkologjisë kishte 74 paciente, ndërsa vitin e kaluar kishte 122 paciente. Rreziku i kancerit të qafës së mitrës zvogëlohet duke marrë vaksinën HPV.
Presidenti i Shoqatës Mjekësore të Maqedonisë dhe Shoqatës Maqedonase për Patologjinë e Qafës së Mitrës dhe Kolposkopinë, Profesor Dr. Goran Dimitrov, tha se nga viti 2030, të gjitha vendet duhet të aplikojnë testin HPV si skrining.
“Gjëja e dytë është se ata që zbulojmë duhet të trajtohen, për këtë kemi personel, kemi staf të arsimuar, kështu që jemi të gatshëm nëse mund të kalojmë në një qasje të tillë në skrining, që skriningu i grave në republikën tonë të shkojë në rendin më të mirë të mundshëm”, tha ai.
Drejtoresha e Klinikës së Gjinekologjisë, profesoresha doktoresha Irena Aleksioska-Papestiev, citoi një studim nga Instituti i Epidemiologjisë, i cili arriti në përfundimin se për periudhën nga viti 2016 deri në vitin 2023 ky lloj kanceri është një problem serioz – në ato vite u diagnostikuan 2263 pacientë.
Ndryshe, kanceri i qafës së mitrës zhvillohet ngadalë, gjë që mundëson zbulimin e hershëm përmes ekzaminimeve të rregullta gjinekologjike dhe testeve të skriningut, siç është testi i Pap-testi dhe testimi i virusit papilloma humane (HPV), theksoi më 21 janar Instituti i Shëndetit Publik (ISHP). Sipas të dhënave të fundit të publikuara të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, në vitin 2022 ishin 173 pacientë me kancer të qafës së mitrës, ndërsa numri i vdekjeve nga kjo sëmundje ishte 66.
Trajtimi për kancerin e qafës së mitrës, shtojnë ata, varet nga faza e sëmundjes.
- Fazat e hershme: ndërhyrje kirurgjikale ose procedura minimale invazive.
- Fazat e mëvonshme: kombinim i radioterapisë dhe kimioterapisë.