Osmani: Nëse dëshmohet se Serbia ka qenë e përfshirë në sulmin në Banjskë, duhet të rishqyrtojmë pjesëmarrjen në Open Balkans

Shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, beson se Maqedonia duhet të rishqyrtojë pjesëmarrjen në nismën e Ballkanit të Hapur, nëse vërtetohet se Serbia ka qenë në ndonjë mënyrë e përfshirë në sulmin e policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës, transmeton Portalb.mk

“Pas ngjarjeve në Kosovë të 24 shtatorit, mendoj se Serbia duhet të bëjë përpjekje që të dëshmojë se nuk është e përfshirë në atë ngjarje, sepse nëse ka ndonjë ndërhyrje të shtetit, realisht na e bën të pamundur pjesëmarrjen në shtetet tjera në rajon, sepse ideja e një Ballkani të Hapur, mbi të gjitha ishte pajtimi. Dhe ajo që ndodhi në veri të Kosovës, shpresoj të dëshmohet se nuk ka asnjë përfshirje shtetërore, por nëse vërtetohet, vërtet mendoj se duhet ta rishqyrtojmë pjesëmarrjen tonë”, tha Osmani në emisionin “Top Tema” në TV Telma.

Në sulmin e policisë së Kosovës më 24 shtator në afërsi të fshatit Banjskë, në veri të Kosovës, mbeti i vrarë rreshteri i policisë Afrim Bunjaku dhe disa të tjerë u plagosën. Në shkëmbimin e zjarrit mes policisë dhe grupit të armatosur, tre sulmues kanë vdekur, ndërsa në afërsi të Banjskës është gjetur një arsenal i madh armësh.

Qeveria e Kosovës fajëson Serbinë për këtë incident, ndërsa Beogradi zyrtar mohon çdo përfshirje.

Pesë ditë pas incidentit, më 29 shtator, Milan Radoiçiq, biznesmen dhe politikan nga veriu i Kosovës dhe ish-nënkryetar i Listës Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, mori përgjegjësinë e plotë për organizimin e sulmit.

Ai pardje është ndaluar dhe marrë në pyetje nga organet kompetente në Beograd, ndërsa dje me vendim të Gjykatës së Lartë është liruar nga paraburgimi dhe i është shqiptuar masa e ndalimit të daljes nga territori i Serbisë.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë dje në një takim me gazetarë në Prishtinë se çështja e përgjegjësisë për sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjska nuk përfundon me deklaratën e Radoiçiqit se ai e ka organizuar sulmin.

Hovenier tregoi se Uashingtoni dhe partnerët do të vazhdojnë përpjekjet për të kuptuar se çfarë ka ndodhur realisht dhe kush është përgjegjës për ngjarjet në Banjska të 24 shtatorit.

“Unë do të thosha se gjëja e duhur për shërbimet tona të sigurisë dhe partnerët e tjerë është të vazhdojmë të përpiqemi të kuptojmë se çfarë ka ndodhur. Shtetet e Bashkuara ishin të qarta, ata që janë përgjegjës për sulmin duhet të mbajnë përgjegjësi. Ky mbetet qëndrimi ynë. Ne do të vazhdojmë të përpiqemi të kuptojmë se çfarë ka ndodhur, kush është përgjegjës dhe pse”, tha ambasadori.