Orban do të udhëtojë në Moskë të takojë Putinin

Viktor Orban po udhëton sot në Moskë për bisedime me Vladimir Putin, konfirmuan burime të qeverisë hungareze, disa ditë pasi ai vizitoi Kievin për herë të parë që nga fillimi i luftës. Dy burime i thanë The Guardian se udhëtimi ishte pjesë e një pakete me një vizitë në Ukrainë pasi Hungaria mori presidencën gjashtëmujore të Bashkimit Evropian.

Edhe një zyrtar i lartë i BE-së konfirmoi vizitën, e cila ka të ngjarë të zemërojë Brukselin.

Deri më tani, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga Budapesti dhe Moska, por Orban pritet të marrë pjesë në një samit në Azerbajxhan më pas.

“Presidenca e radhës e BE-së nuk ka mandat të angazhohet me Rusinë në emër të BE-së. Këshilli Evropian është i qartë: Rusia është agresori, Ukraina është viktima. Nuk mund të ketë diskutim për Ukrainën pa Ukrainën”, tha presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Orban, i cili konsiderohet aleati më i madh i Putinit në BE, përpiqet ta prezantojë veten si një politikan paqeje, edhe pse deri më tani nuk e ka dënuar kurrë pushtimin rus dhe shpeshherë ka refuzuar ndihmën evropiane për Ukrainën.

“Ekipi i Orbanit e kishte planifikuar vizitën në Moskë edhe para takimit me Volodymyr Zelensky. Ai po përpiqet të ndërmjetësojë mes Rusisë dhe Ukrainës dhe pas bisedimeve me Zelensky, ky takim ka kuptim”, tha një burim nga Qeveria e Hungarisë.