OKB: Në Gaza ka rreth 50 mijë gra shtatzëna, mbi 180 nga ato lindin çdo ditë

Sipas Fondit të OKB-së për Popullsinë (UNFPA), ka rreth 50 mijë gra shtatzëna në enklavë, më shumë se 180 prej të cilave lindin çdo ditë dhe se 15% e tyre ka të ngjarë të kenë nevojë për kujdes mjekësor shtesë për shkak të komplikimit gjatë shtatzënisë ose lindjes, shkruan Anadolu Agency.

“Me 14 spitale të mbyllura dhe 45 qendra të kujdesit shëndetësor primarë, disa gra janë destinuar të lindin në strehimore, në shtëpitë e tyre, në rrugë mes rrënojave ose në objektet shëndetësore të mbipopulluara, pa kushtet e duhura sanitare dhe në rrezik nga infeksioni dhe komplikimet mjekësore”, theksoi Sarah Hendriks, nga UN Women.

Ajo tha se gratë dhe vajzat në Gaza përjetojnë vështirësi të rënda personale për shkak të mungesës së tualeteve dhe banjove të sigurta dhe private dhe mungesës së shërbimeve dhe nevojave për ruajtjen e higjienës personale, nga produktet sanitare dhe uji deri te të brendshmet e pastra.

Ajo preku edhe sfidat psikologjike me të cilat përballen gratë në Gaza. “Ato përballen me frikën e vazhdueshme të bombardimeve intensive dhe barrën e kujdesit për familjet e tyre. Çdo ditë ata pyesin veten: ‘A do t’i mbijetojmë kësaj?’. Gratë në Gaza jetojnë me frikë, por gjithashtu tregojnë qëndrueshmëri të madhe në përpjekjet e tyre të përditshme që thjesht të mbijetojnë”, tha Hendriks.

Ajo vuri në dukje nevojën e jashtëzakonshme për shëndetin mendor dhe mbështetjen psikosociale për gratë dhe vajzat në Gaza.

“Edhe para krizës aktuale, situata në Gaza ishte e tmerrshme, me 97% të burrave dhe 98% të grave që jetonin në frikë të vazhdueshme për sigurinë e tyre. Mund të imagjinoni se çfarë barre të madhe emocionale po vuajnë tani”, u shpreh Hendriks.

Ajo përsëriti thirrjen për ndihmë.

“Në emër të të gjitha grave dhe vajzave në Gaza që po kalojnë këtë makth, ne vazhdojmë të bëjmë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar. Furnizimet dhe shërbimet thelbësore dhe aksesi i papenguar humanitar duhet të lejohen në dhe përmes Gazës dhe të gjitha pengjet duhet të lirohen”, shtoi Hendriks.

Rrëfimet e grave në Gaza janë të rënda dhe të trishtueshme, por edhe gjatë kësaj beteje ata luftojnë që të dëgjohet zëri i tyre në një botë që shpesh mbyll sytë ndaj padrejtësisë. Deri më tani, qindra gra dhe vajza janë vrarë në sulmet izraelite. Armët nuk zgjedhin. Vriten nëna, vajza, motra, gazetarë dhe nxënës të shkëlqyeshëm.

Midis tyre ishte edhe Al-Shaima Saidam. Ajo u vra me anëtarët e familjes së saj kur raketat goditën kampin e refugjatëve Al-Nuseirat në Rripin e Gazës. Në korrik, ajo u zgjodh nxënësja më e mirë e shkollës së mesme në Palestinë, pasi arriti një mesatare prej 99.6% në arsimin e mesëm të përgjithshëm palestinez.

Heba Abu Nada, një shkrimtare dhe poete, u vra në shtëpinë e saj, duke lënë pas fjalë ku përshkruhej forca dhe qëndrueshmëria e popullit të saj.

Gazetarja Salam Mema, së bashku me bashkëshortin dhe tre fëmijët, u vra në shtëpinë e saj në një sulm ajror izraelit në kampin e refugjatëve Jabalia. Mema ka punuar prej vitesh për të paraqitur para skenës botërore ngjarjet në Gaza.

Këto nuk janë vetëm numra, por shembuj të shpresave, ëndrrave dhe planeve të shuara nga sulmet ajrore vdekjeprurëse izraelite.

Këto humbje shërbejnë gjithashtu për të ilustruar krizën e tmerrshme humanitare që prek në mënyrë disproporcionale gratë dhe vajzat në Gaza, pasi Izraeli nuk do të dëgjojë për të marrë në konsideratë një armëpushim për të lehtësuar vuajtjet e tyre.

“Gratë, vajzat dhe familjet e tyre në Gaza vazhdojnë të përballen me vdekje të paimagjinueshme. Gaza po mbetet pa ujë, ushqim, energji elektrike dhe karburante që shpëton jetën”, tha Sarah Hendriks.

Ajo theksoi se gratë dhe vajzat në Gaza janë në strehimore pa ushqim, ujë, privatësi apo objekte sanitare.

UN Women vlerëson se më shumë se 1.800 gra kanë mbetur të veja dhe do të mbajnë barrën e kujdesit të familjeve të tyre, dhe se më shumë se 744 mijë gra dhe vajza janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

“Ndikimi i këtij konflikti tek gratë dhe vajzat është i papërshkrueshëm. Siç ndodh shpesh në konflikte, gratë preken në mënyrë disproporcionale dhe rruga drejt rimëkëmbjes për to do të zgjasë me vite, nëse mbijetojnë”, tha Hendriks.

Duke përshkruar situatën aktuale në Rripin e Gazës, Hendriks tha se sistemi humanitar në zonë është “në prag të kolapsit”.

Ajo tha se edhe para fillimit të valës aktuale të sulmeve, Gaza mbështetej në një qarkullim ditorë prej 500 kamionësh të ndihmave humanitare, përfshirë 45 kamionë me karburant.

Sot, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Ashraf al-Qudra në konferencën për media informoi lidhur me humbjet e jetëve dhe dimensioneve të krizës humanitare si pasojë e sulmeve izraelite që vazhdojnë.

Al-Qudra tha se në 27 masakra që Izraeli ka kryer në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 241 persona. Ai vuri në dukje se në sulmet izraelite që nga 7 tetori e deri më tani numri i të vrarëve në Rripin e Gazës ka arritur10.569 persona, përfshirë 4.324 fëmijë dhe 2.823 gra. Nga ana tjetër dy ditë më parë UNRWA ka bërë të ditur se sulmet izraelite gjatë muajit të kaluar në Gaza mesatarisht kanë vrarë një fëmijë palestinez çdo dhjetë minuta