Nxënësit e shkollave të mesme mund të udhëtojnë falas me NTP-në gjatë pushimeve verore
Nxënësit e shkollave të mesme të cilët i plotësojnë kushtet për shfrytëzim të transportit publik falas edhe këtë vit do të kenë të drejtë të udhëtojnë me autobus falas gjatë pushimeve verore, njoftoi NTP Shkup, transmeton Portalb.mk.
Siç thonë nga kjo ndërmarrje, e drejta për transport falas gjatë pushimeve të ardhshme është në përputhje me Programin për aktivitetet e Qytetit të Shkupit në fushën e arsimit të mesëm në vitin 2023, ku ndër të tjera thuhet:
“Nxënësit e shkollave të mesme të Qytetit të Shkupit nga fillimi i vitit 2023 do të kenë mundësi të shfrytëzojnë transportin falas gjatë pushimeve dimërore dhe verore dhe në këtë mënyrë t’i kryejnë obligimet shkollore pa ndërprerje”.
Nga e hëna, 12 qershor, transporti publik do të funksionojë sipas orarit veror. Orari i qarkullimit të automjeteve në të gjitha linjat urbane dhe periferike është i qasshëm në ueb faqen e NTP Shkup.
Ndryshe, Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme (UNShM) ka kërkuar që e drejta për transport publik falas në Shkup të vlejë për të gjithë nxënësit e arsimit të mesëm, gjegjësisht edhe për ata të shkollave private. Për këtë, Unioni ka dorëzuar këtë javë një iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së nenit 41 a të Ligjit për Arsimin e Mesëm.
LEXO: Transporti publik falas: A do të hiqet diskriminimi ndaj studentëve të universiteteve private?