Numri i të vdekurve në Lviv rritet, dy të vrarë nga droni rus në Dnipropetrovsk

Rritet numri i të vdekurve pas sulmeve të djeshme me raketa nga ana e Rusisë në një ndërtesë banimi në Lviv, në pjesën më të largët perëndimore të Ukrainës. Autoritetet thanë se 10 persona kanë vdekur nga sulmi ndërsa 42 janë lënduar, raporton gazeta Guardian. Sulmi rus me raketa “Kalibër” ka filluar nga Deti i Zi. Autoritetet ukrainase e cilësuan ngjarjen si një tjetër akt terrorist mbi popullatën civile, transmeton Portalb.mk.

Rusia mbrëmë ka kryer sulme të reja me dronë-kamikaze me prodhim iranian. Mbrojtja e Ukrainës në jug dhe dhe lindje arriti të rrëzojë 12 nga gjithsej 18 dronët e lëshuar nga Rusia. Megjithatë, mbetjet e një droni të rrëzuar në rajonin e Dnipropetrovsk goditën një automjet në lëvizje në autostradë dhe dy civilë vdiqën në sulm, raporton Ukrinform.

Forcat ruse, ditët dhe netët e fundit kanë sulmuar me raketa vendbanimet në rajonin e Donetskut, gjatë të cilit një person ka mbetur i vrarë nga sulmet, ndërsa pesë janë lënduar, transmeton Ukrinform.

Në rajonin Kherson, vendbanimet pranë urës Antonivka u goditën nga forcat ruse dhe pesë civilë u plagosën. Gjatë ditës dhe natës së kaluar në këtë rajon janë kryer 29 sulme, bëjnë të ditur autoritetet ukrainase.

Sipas të dhënave të fundit të forcave të armatosura ukrainase, nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës e deri më sot, 232.810 ushtarë rusë kanë vdekur dhe vetëm në 24 orët e fundit kanë vdekur 510.

Aksionet e ashpra ushtarake ende vazhdojnë në rajonin e Donjeckut, në afërsi të Bakhmutit, si dhe në rajonin e Zaporizhzhia.