Nuk i besojmë Federatës në Maqedoninë e Veriut, kryetari i KF Shkupit paralajmëroi shitjen ose mbylljen e klubit

Presidenti i ekipit të futbollit KF Shkupi, Olgun Ajdin, përmes një komunikate zyrtare ka njoftuar që do të largohet nga kryesia e klubit, për shkak Federatës së Futbollit në Maqedoni, transmeton Portalb.mk.

“Nuk i besojmë sistemit të tanishëm të futbollit dhe Federatës momentale të futbollit. Arsyet për një gjë të tillë i dinë të gjithë.  Nuk do të marrim pjesë në këtë lojë nëse do të mbetet në pozitë federata e tanishme e futbollit. Ne nuk do të sakrifikojmë mundin tonë për asnjë funksion”, deklaroi kryetari Ajdin.

Ai vlerësoi që në Maqedoninë e Veriut ka ardhur të merret me sport, jo të grindet me njerëz, duke theksuar që për momentin duhet të merret me gjithçka përveç se me sport.

“Nëse do të paraqitet një i interesuar, të cilit do t’i besojmë se do të çmojë klubin tonë dhe do të investojë për të, ne jemi të hapur për të transferuar klubin. Nëse nuk do të ndodh një gjë e tillë, nëse nuk do të gjendet një njëri që do të vlerësojë drejtë, jemi të vendosur të pushojmë deri sa të ndërrohet federata e tanishme”, paralajmëroi kryetari.

Ajdin premtoi që do të investojë përsëri, nëse do të ndryshojë kryesia e Federatës.

Ndryshe, KF Shkupi nuk ka arritur të shpallet kampion në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, ndërkohë nuk arriti as të ngjitet në finalen e Kupës. Me rezultatet e tilla, KF Shkupi nuk do të marrë pjesë në garat evropiane. Pas rezultateve të tilla, kryesia e ekipit e kishte kritikuar kryesinë e Federatës së Futbollit në Maqedoni për parregullsi.

Kampioni i Ligës së Parë në sezonin 2023/24 në Maqedoninë e Veriut u shpall Struga Trim&Lum, pasi në javët e fundit u zhvillua një garë e ngushtë së bashku me Shkëndijën dhe Shkupin. Në garën për fitues në Kupën e Maqedonisë, Tikveshi ka fituar kundër ekipit të Voska Sportit.