Nuk është e vërtetë se lufta në Ukrainë është luftë proksi e Amerikës e planifikuar prej dekadash

Nuk ka dëshmi se lufta në Ukrainë është “luftë proksi amerikane”(proxy war) e planifikuar prej dekadash. Nuk ka dëshmi për një grusht shteti perëndimor në Ukrainë në vitin 2014. Grupe neonaziste ekzistojnë, por ato nuk kanë kontroll mbi Ukrainën. Sanksionet nuk janë pjesë e një plani të fshehtë afatgjatë, por një reagim ndaj agresionit rus. Pretendimet për një “dominim globalist” janë konspirative dhe të pakonfirmuara. Të gjitha këto narrativa janë pjesë e propagandës ruse të drejtuara për të krijuar përshtypjen se Ukraina nuk ka vullnet të vetin dhe se Perëndimi është fajtor për luftën – gjë që nuk përputhet me faktet, ngjarjet dhe dëshmitë reale, shkruan Vërtetmatësi.

Po analizojmë një postim në rrjetin social Facebook i cili thotë:

Siç mund ta shihni tani, kjo luftë në Ukrainë është një luftë përfaqësuese amerikane, e cila është planifikuar prej dekadash, ka kushtuar miliarda dollarë dhe ka përfshirë grushte shteti subversive dhe aleanca me neonazistë. Perandoria amerikane ka menduar se mund ta fitonte lehtësisht këtë luftë duke përdorur sanksione për të shkatërruar ekonominë ruse dhe duke dërguar një numër të pakufizuar burrash ukrainas të vdesin në fushën e betejës.

Qëllimi përfundimtar i kësaj lufte përfaqësuese është dominimi global nga globalistët – të mposhtin Rusinë dhe pastaj të merren me Kinën.

Megjithatë, të gjitha planet globaliste kanë dështuar mjerueshëm dhe tani ata po e devijojnë vëmendjen nga dështimet e tyre ushtarake dhe ekonomike duke i fajësuar Indinë dhe Kinën për blerjen e naftës ruse. SHBA/BE mund ta përfundonin këtë luftë për një ditë të vetme duke refuzuar të dërgojnë armë dhe para në Ukrainë.

Por, shumë kontraktorë ushtarakë dhe politikanë përfitojnë përmes pastrimit të parave dhe ryshfetit. Dhe perandoria amerikane ka një ego tepër të madhe për të pranuar se ka humbur nga Rusia.

Prandaj, marrëzia do të vazhdojë derisa të mos mundet më.

Në opinion shpesh haset narrativa se lufta në Ukrainë është një “luftë proksi amerikane”, se është planifikuar prej dekadash, se Ukraina është naziste, se Perëndimi kreu grusht shteti në Kiev në vitin 2014 dhe se qëllimi është shkatërrimi i Rusisë dhe dominimi global i “globalistëve”.

Megjithatë, analizat e pavarura dhe verifikimet e fakteve tregojnë se këto pretendime janë kryesisht pohime propagandistike të përgatitura në kuzhinën e Kremlinit, të cilat nuk mbështeten nga prova.

Sipas një analize të RAND Corporation (“No, Ukraine Is Not Fighting a Proxy War”, 2024), termi “luftë përfaqësuese” shpesh përdoret gabimisht. Në kuptimin klasik, një luftë përfaqësuese nënkupton që një fuqi e madhe kontrollon drejtpërdrejt dhe menaxhon konfliktin përmes një aktori tjetër, pra kur dy shtete luftojnë kundër njëri-tjetrit në mënyrë indirekte – duke mbështetur palët ndërluftuese në një vend të tretë.

Në rastin e Ukrainës, nuk është kështu. SHBA dhe NATO e mbështesin Ukrainën me armë, financa dhe trajnim, por nuk e kontrollojnë politikën e saj apo strategjinë ushtarake. Ukraina është një subjekt aktiv dhe i pavarur, jo një kukull.

Qëllimi i kësaj narrative është ta paraqesë Ukrainën si një shtet që nuk mund të vendosë vetë për veten. Si të bëhej fjalë për një shtet pa integritet territorial dhe sovranitet, që nuk është i pavarur dhe duhet të jetë në duart e dikujt tjetër, i kontrolluar. Por e vërteta është se Ukraina po e mbron veten, menjëherë pas sulmit të parë më 24 shkurt 2022 iu përgjigj agresionit ushtarak rus dhe vazhdon ta bëjë këtë për më shumë se tre vjet.

Një nga narrativat më të vjetra të dezinformimit rus është ai për luftën përfaqësuese që po e zhvillon Perëndimi, NATO apo BE… në Ukrainë, kundër Rusisë. Ai filloi me një deklaratë të shefit të diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, në prill të vitit 2022.

.Fakt është se Rusia filloi një pushtim ushtarak në Ukrainë në shkurt të vitit 2022 nga toka, ajri dhe deti, që është akti i dytë i agresionit, pas aneksimit të gadishullit të Krimesë në vitin 2014. Që nga atëherë, NATO, në kuadër të politikës së përbashkët të vendeve anëtare, por edhe përmes vendimeve individuale të secilit shtet anëtar, përpiqet ta ndihmojë Ukrainën, e cila ka të drejtë legjitime për vetëmbrojtje, në përputhje edhe me Kartën e OKB-së. Dërgimi i sistemeve të sofistikuara tokësore dhe kundërajrore nuk nënkupton luftë përfaqësuese, por ndihmë për politikën mbrojtëse të Ukrainës.

Kjo narrativ për luftën përfaqësuese ka një histori paraprake, e ajo është narrativa për gjoja premtimin e Perëndimit, saktësisht të ish-presidentit amerikan George Bush të vjetër, se NATO nuk do të zgjerohej drejt Lindjes pas rënies së Murit të Berlinit. Por edhe kjo është e pavërtetë dhe është mohuar pikërisht nga lideri i fundit i BRSS, Mihail Gorbaçov.

Disa burime (veçanërisht mediat shtetërore ruse) pretendojnë se SHBA ka kryer një puç në Ukrainë në vitin 2014 për të rrëzuar udhëheqjen proruse. Megjithatë, sipas Foreign Policy, nuk ka prova se protestat e Euromajdanit janë orkestruar nga Perëndimi. Protestat nisën spontanisht si reagim ndaj vendimit të presidentit të atëhershëm Viktor Janukoviç për të ndërprerë procesin e integrimit evropian. Shtetet perëndimore dhanë mbështetje politike, por nuk ka prova për një operacion të koordinuar ose një puç të financuar prej tyre.

Mbi këtë temë, edhe Vërtetmatësi  ka shkruar në të kaluarën.

Retorika ruse shpesh pretendon se Ukraina është një “shtet neonazist”. Por kjo është një manipulim. Grupi të ekstremit të djathtë (si disa pjesë të batalionit Azov) ekzistojnë, por nuk kanë fuqi reale politike në shtet. Qeveria e Ukrainës është e zgjedhur në mënyrë demokratike dhe nuk është nën kontrollin e neonazistëve.

Ukraina e ndaloi promovimin e nazizmit në vitin 2015. Është interesante që mediat shtetërore ruse e përshkruajnë Ukrainën si një shtet “nazist” që nga viti 2014, por të dhënat tregojnë se numri i teksteve dhe publikimeve mediatike që e lidhin Ukrainën me nazizmin u rritën ndjeshëm në ditën e pushtimit, kanë vlerësuar nga Instituti Italian ISPI.

Sa i përket pretendimit në postim se sanksionet kanë qenë një mekanizëm i planifikuar afatgjatë për shkatërrimin e Rusisë, sipas PolitiFact, nuk ka dëshmi që ka ekzistuar një plan i tillë i fshehtë shumëvjeçar. Sanksionet kanë qenë një reagim ndaj ngjarjeve konkrete – aneksimit të Krimesë në vitin 2014 dhe pushtimit të plotë në vitin 2022. Efekte ekonomike ka (ulja e tregtisë, ngecje teknologjike, largim kapitali), por kërkimet tregojnë pasiguri të madhe dhe papërcaktueshmëri në rezultatet e tyre – kjo nuk është një komplot i menduar paraprakisht.

Pretendimi se “globalistët” përmes kësaj lufte duan dominim global nuk mbështetet me asnjë provë konkrete. Kjo është një narrativ konspirative që buron nga burime propagandistike të lidhura me dezinformimin shtetëror rus dhe me media ekstremisht të djathta në SHBA dhe Evropë. Asnjë organizatë ndërkombëtare apo studiues i pavarur nuk ka gjetur dëshmi materiale për një “komplot globalist” të koordinuar.

Nga e gjithë kjo mund të përfundojmë se nuk ka dëshmi që lufta në Ukrainë është një “luftë përfaqësuese amerikane” e planifikuar prej dekadash. Nuk ka dëshmi për një grusht shteti perëndimor në Ukrainë në vitin 2014. Grupe neonaziste ekzistojnë, por ato nuk kanë kontroll mbi Ukrainën. Sanksionet nuk janë pjesë e një plani të fshehtë afatgjatë, por një reagim ndaj agresionit rus. Pretendimet për “dominim globalist” janë konspirative dhe të pakonfirmuara. Të gjitha këto narrativa janë pjesë e propagandës ruse të drejtuara për të krijuar përshtypjen se Ukraina nuk ka vullnet të vetin dhe se Perëndimi është fajtor për luftën — gjë që nuk përputhet me faktet, ngjarjet dhe dëshmitë reale.

Për këtë arsye, postimin që po analizojmë e vlerësojmë si të pavërtetë.