Një numër i madh i portaleve ende nuk kanë dorëzuar raporte se sa para kanë marrë nga zgjedhjet parlamentare në RMV

Nga gjithsej 30 portale që “Fondacioni Metamorfozis” po shqyrton në kuadër të një hulumtimi më të gjerë në lidhje me raportet financiare për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 8 maj të këtij viti, pothuajse gjysma nuk kanë dorëzuar raporte financiare se sa para kanë marra nga buxheti i shtetit për reklamimin e partive që hynë në garë zgjedhore, transmeton Portalb.mk.

Kjo mund të shihet nga përgjigjet që Meta.mk ka marrë përmes kërkesës për qasje të informatave me karakter publik, të cilat u dorëzuan në Komisionin Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit (KSHPK), Entit Shtetëror të Revizionit (ESHR), Ministrisë së Financave dhe Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ).

Janë kërkuar raporte për 30 portale, ndërsa nga KSHZ dhe ESHR janë përgjigjur se pothuajse gjysma prej tyre nuk kanë dorëzuar.

Portalet (sipas shënimeve të Meta-s – janë numëruar 12 portale) nuk i kanë dorëzuar Entit Shtetëror të Revizionit raporte financiare për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 08.05.2024, thuhet në përgjgijet e marrë nga ESHR.

Nga ana e 13 portaleve (të numëruara nga kjo media) nuk janë dorëzuar raporte në KSHPK për hapësirë reklamuese të shfrytëzuar nga pjesëmarrësit në fushatën zgjedhor, thuhet në përgjigjen e KSHPK.

Transmetuesit si dhe mediat e shtypura dhe mediat elektronike (portalet online) në vend ishin të detyruar të paraqesin një raport për hapësirën reklamuese të përdorur nga secili prej pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore dhe mjetet e paguara ose të kërkuara mbi këtë bazë jo më vonë se 15 ditë pas përfundimit të fushatës zgjedhore.

Ndryshe, raportet për reklamat politike me pagesë duhet të publikohen në katër vende, përkatësisht në faqen e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Entit Shtetëror për Revizion, Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Ministrisë së Financave.

KSHZ-ja këtë vit ka llogaritur një shumë rekord të parave të destinuara për reklama të paguara politike dhe më pas nga llogaritjet rezultoi se për zgjedhjet e dyfishta nga buxheti i mediave do të ndahen 10.6 milionë euro.

Në hapësirën online janë regjistruar rreth 250 portale për të marrë një pjesë të kulaçit reklamues për zgjedhjet. Kandidatët dhe partitë vendosën vetë se ku dëshironin të reklamonin, por një pjesëmarrës mund të shpenzonte maksimumi 15 mijë euro për një portal.

Zgjedhjet e dyfishta këtë vit tërhoqën numrin më të madh të portaleve të interesuara për të ndarë kulaçit zgjedhore me vlerë disa milionë euro. Në zgjedhjet lokale të vitit 2021 janë regjistruar gjithsej 176 portale, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 janë regjistruar gjithsej 235 portale.

Kujtojmë se, edhe misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it, në raportin për zgjedhjet, nënvizoi se, “një numër i konsiderueshëm i portaleve në internet duket se janë krijuar me të vetmin qëllim marrjen e fondeve shtetërore gjatë fushatave zgjedhore dhe, në disa raste, kanalizimin e këtyre fondeve te partitë politike”.