Një baba me dy e fëmijët tij nga Maqedonia e Veriut janë evakuuar në mënyrë të sigurtë nga Gaza

Tre nga pesë shtetasit e Maqedonisë janë evakuuar në mënyrë të sigurtë nga Rripi i Gazës dje. Një baba dhe dy fëmijët u evakuuan përmes pikës kufitare Rafah, së bashku me nënën e tyre, e cila është shtetase e Palestinës, transmeton Portalb.mk.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë (MPJ), pas daljes nga Gaza, të katërt janë transferuar në territorin egjiptian dhe nga Kajro pritet të mbërrijnë në Maqedoninë e Veriut.

Në listat zyrtare për evakuim nga Rripi i Gazës janë edhe dy shtetas maqedonas – një çift i martuar. Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, evakuimi i tyre varet nga kushtet në terren, pra nga vlerësimi i sigurisë se cila pjesë e Gazës është më e përshtatshme, dhe në këtë mënyrë nga nevoja për evakuim të menjëhershëm të shtetasve të huaj.

“Ministria e Punëve të Jashtme, përmes rrjetit të saj diplomatik në Kajro dhe Tel Aviv, qëndron në komunikim të vazhdueshëm me institucionet kompetente të Egjiptit dhe Izraelit si dhe me qytetarët tanë deri në përfundimin e evakuimit të plotë të qytetarëve tanë”, thekson Ministria.

Autoritetet kufitare të Gazës publikuan dje listën me rreth 600 shtetas të huaj dhe persona me dyshtetësi nga disa shtete, të cilët do të lejohen të largohen nga Gaza, mes tyre edhe shtetas të Maqedonisë së Veriut. Vendkalimi i Rafahut u rihap dje pas më shumë se tre javësh bllokadë totale nga Izraeli, duke lënë shumë shtetas të huaj të bllokuar në Rrip.

Kujtojmë se Izraeli vendosi një rrethim total në Gaza kur filloi luftën, kështu që askush nuk u lejua të largohej nga enklava, me përjashtim të katër pengjeve të liruara. Qeveritë e huaja thonë se ka shtetas të 44 vendeve dhe 28 agjencive dhe organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Gaza.