Nikolloski paralajmëroi pesë linja të reja ajrore nga Aeroporti i Shkupit për në Stokholm, Madrid, Bari, Këln dhe Pragë
Pesë linja të reja ajrore do të futen nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit, informoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski. Siç njoftoi ai, fluturimet nga Shkupi për në Madrid dhe Stokholm do të fillojnë në nëntor, ndërsa për në Pragë, Bari dhe Këln në dhjetor, transmeton Portalb.mk.
“Këtë mëngjes nënshkruam një marrëveshje për pesë destinacione të reja që do të operohen nga Aeroporti i Shkupit. Pesë avionë të rinj që do të nënkuptojnë më shumë turistë në Maqedoni, më shumë biznes në Maqedoni dhe më shumë mundësi për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Fluturimi i rregullt Stokholm-Shkup do të fillojë në nëntor. Gjithashtu, fluturim i rregullt Madrid-Shkup do të fillojë në nëntor, ndërsa fluturimi i rregullt Bari-Shkup, Këln-Shkup dhe një fluturim i rregullt Pragë-Shkup do të fillojë në dhjetor”, tha Nikolloski.
Me pesë fluturimet e reja dhe 11 që janë hapur tashmë, siç theksoi ai, janë lançuar 16 linja të reja ajrore vetëm në një vit.
“Edhe shifrat tregojnë se, vetëm në gjysmën e parë të këtij viti, gjithsej 1.5 milion pasagjerë u transportuan nga aeroportet e Shkupit dhe Ohrit, që është një rritje prej 5 përqind nga aeroporti i Shkupit dhe 11 përqind nga aeroporti i Ohrit. Do të ketë më shumë lajme të mira në periudhën e ardhshme, njoftoj se do të ketë më shumë linja ajrore të reja”, theksoi Nikolloski.
Kujtojmë se Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit është lidhur me tre qytete të tjera turke që nga 1 qershori nëpërmjet Ajet Airlines. Fluturimet sezonale për në Ankara, Çukurova dhe Diyarbakir filluan fundjavën fundit të majit, duke zgjeruar ofertën e udhëtimit, njoftoi operatori i aeroportit TAV Maqedoni.