Nga Tetova në Antwerpen dhe mori çmimin ‘Restaurant Guru 2026’, Shpresa Peca: Disiplinën nga Belgjika, mikpritjen nga kultura jonë
Nga Tetova në Antwerpen, me shumë sakrificë, punë dhe besim në vetvete, Shpresa Peca ka arritur të ndërtojë një histori frymëzuese suksesi në Belgjikë. Pas një fillimi të vështirë, larg vendlindjes dhe përballë shumë sfidave jetësore e profesionale, ajo arriti ta kthejë një ëndërr në realitet duke themeluar restoranin “TE PECA” në Belgjikë. Së fundmi ajo u vlerësua edhe me çmime si Restaurant Guru Award 2026. Në një bisedë për Portalb.mk, ajo rrëfeu rrugëtimin e saj, sfidat, sakrificat dhe filozofinë që e ka çuar drejt suksesit.
Portalb.mk: Si do ta përshkruaje rrugëtimin tënd nga Tetova drejt Antwerpenit, çfarë të shtyu ta ndërmerrje këtë hap dhe të hapësh një biznes atje dhe si e prite çmimin e fundit?
Shpresa Peca: Rrugëtimi im ka nisur nga Tetova, i shtyrë nga arsye personale dhe familjare. Vendimin për ta zgjedhur Belgjikën e mora sepse këtu kisha motrën time, gjë që më dha më shumë siguri dhe mbështetje për të nisur një jetë të re.
Fillimi nuk ka qenë aspak i lehtë. Për rreth pesë vite kam jetuar pa dokumente, çka e bënte çdo hap edhe më të vështirë dhe më sfidues. Gjatë kësaj periudhe kam punuar punë të ndryshme, por një nga përvojat më të rëndësishme për mua ka qenë puna në një broodjeszaak belge, pra në një lokal sanduiçesh. Pikërisht aty mësova shumë për mënyrën se si funksionon ky lloj biznesi dhe aty nisi të formësohej edhe ëndrra ime.
Ideja për të hapur diçka timen lindi gradualisht. Në fillim ishte vetëm një mendim që e mbaja për vete, por më pas e ndava me bashkëshortin dhe fëmijët e mi. Me mbështetjen e tyre vendosa ta bëj hapin e madh dhe të hap një biznes tipik belg, por me një emër shqip: “TE PECA”. Edhe kjo në vetvete ishte një sfidë. Nuk ka qenë e lehtë, por çdo vështirësi më ka bërë më të fortë, më të qëndrueshme dhe më të vendosur për të ecur përpara, sepse unë besoj fuqishëm se: “Asgjë nuk është e lehtë, por asgjë nuk është e pamundur”.
Sa i përket çmimit “Restaurant Guru Award 2026”, me shumë modesti mund të them se ishte një vlerësim disi i pritshëm. Ky çmim bazohet 100% në vlerësimet e klientëve dhe, duke ndjekur statistikat e biznesit tim në krahasim me biznese të ngjashme në të gjithë Antwerpenin dhe më gjerë, “TE PECA” renditet në vend të parë në Belgjikë. Për mua, ky është një motivim shumë i madh për të vazhduar me të njëjtin përkushtim dhe dashuri për punën.
Megjithatë, çmimi që më dha vulën se jam duke ndërtuar diçka vërtet të mirë ishte ai që fitova në kuadër të një konkursi të organizuar me rastin e një aktiviteti gjatë të cilit përfaqësues të qeverisë nga Brukseli do të vizitonin Antwerpenin. Pata mundësinë të konkurroj dhe arrita të fitoj. Si rezultat, dreka për përfaqësuesit e qeverisë u përgatit nga “TE PECA”.
Për mua kjo ishte diçka madhështore, sidomos duke qenë një biznes i ri, i ndërtuar mbi një koncept 100% belg, në konkurrencë me shumë biznese vendase që kanë mbi 30 vite përvojë. Vlen të theksohet se, edhe pse jam e re në treg, koncepti i biznesit tim është me origjinë plotësisht belge.
Portalb.mk: Cilat janë dallimet më të mëdha që ke vënë re në mënyrën e të bërit biznes mes Ballkanit dhe Belgjikës, sidomos në raport me klientët dhe standardet e punës?
Shpresa Peca: Unë e dua shumë vendin tim dhe gjithmonë do ta mbaj në zemër, prandaj nuk e kam të lehtë të bëj krahasime. Megjithatë, ajo që mund të them me bindje është se në Belgjikë puna ka vlerë dhe punëtori respektohet. Ekziston një sistem më i rregullt dhe më i drejtë, ku përkushtimi, korrektësia dhe puna e ndershme shpërblehen. Atje vlen parimi: kur je në orar të punës, duhet të punosh.
Unë kam marrë më të mirën nga të dyja botët: disiplinën nga Belgjika dhe mikpritjen nga kultura jonë.
Një shembull shumë i qartë është edhe vetë përvoja ime. Edhe pse jam e huaj dhe drejtoj një biznes tipik belg, në një mjedis me shumë lokale të tjera të ngjashme, kam arritur të fitoj besimin dhe vlerësimin e klientëve. Sot, mbi 90% e klientëve të mi janë vendas, rreth 5% vijnë nga komuniteti maroken, 3% nga komuniteti turk dhe rreth 2% janë shqiptarë. Kjo tregon se kur punon me përkushtim, ndershmëri dhe korrektësi, njerëzit të vlerësojnë pa marrë parasysh prejardhjen tënde.

Portalb.mk: Sa sfiduese ishte fillimi, duke pasur parasysh edhe punimet në zonë, cilat kanë qenë momentet më të vështira dhe si i ke kapërcyer ato?
Shpresa Peca: Një nga periudhat më të vështira për mua ka qenë koha kur isha pa dokumente. Përveç pasigurisë së vazhdueshme, ajo që më rëndonte më shumë ishte mungesa e madhe e Tetovës dhe e familjes sime.
Kam ardhur në Belgjikë gati 30 vjeçe dhe nuk ka qenë aspak e lehtë të fillosh gjithçka nga e para në këtë moshë, në një vend të ri, me një mentalitet dhe mënyrë jetese krejt ndryshe. Gjithçka që isha si person ishte formuar në vendin tim, prandaj përshtatja në kushte të tilla, pa dokumente dhe pa të drejtë pune, ishte një sfidë e madhe.
Pas vitit 2018, kur u pajisa me dokumentacion, fillova të punoj shumë fort për të ndërtuar diçka të qëndrueshme. Dhe kjo përpjekje kishte një emër: “TE PECA”.
Megjithatë, edhe atëherë nuk ishte e lehtë. Në fillim më është dashur të mbaj njëkohësisht biznesin tim dhe të vazhdoj edhe punën tjetër, sepse nuk kisha ende siguri të plotë nga biznesi. Vetëm pak muaj pas hapjes së “TE PECA”, mbylla edhe një kapitull shumë të rëndësishëm jetësor: u pajisa me nënshtetësi belge, një qëllim për të cilin kisha luftuar që nga dita e parë në Belgjikë.
Fillimi ka qenë shumë sfidues, sidomos duke qenë e huaj dhe duke u përballur me gjuhën, dokumentacionin e biznesit, lejet dhe licencat, si dhe konkurrencën e fortë. Momentet më të vështira kanë qenë ato kur duhej të menaxhoja gjithçka vetë: nga furnizimi, pastrimi, administrimi dhe takimet, deri te puna e përditshme me klientët.
Në një vend isha pronare, ndërsa në tjetrin punëtore, duke punuar deri në 15–16 orë në ditë. Kam mësuar çdo ditë dhe kam qenë jashtëzakonisht e fokusuar.
Me kalimin e kohës, gjërat filluan të stabilizohen dhe mora vendimin e madh: të jap dorëheqje nga puna dhe t’ia përkushtoj të gjithë energjinë, dashurinë dhe pasionin biznesit tim, të cilin e konsideroja si një “bebe” që rritej çdo ditë falë përkushtimit tim.
Sot, kur kthehem pas, i shoh të gjitha ato sfida si një përvojë shumë të vlefshme. Çdo vështirësi më ka bërë më të fortë dhe më ka afruar më shumë drejt qëllimit tim.
Sa i përket mënyrës se si i kam kapërcyer sfidat, përgjigjja mbetet e njëjtë: me punë, shumë punë, dhe me përkrahjen e jashtëzakonshme të familjes sime. Në veçanti, mbështetja e pakushtëzuar e bashkëshortit tim ka qenë vendimtare, ai ka qenë po aq sa unë një aktor kyç në realizimin e kësaj ëndrre.

Portalb.mk: Çfarë mendon se e bën TE PECA të veçantë në një qytet si Antwerpeni, ku konkurrenca në gastronomi është shumë e madhe?
Shpresa Peca: Ajo që e bën “TE PECA” të veçantë është kombinimi i cilësisë, shpejtësisë dhe qasjes njerëzore ndaj klientit. Për mua, sinqeriteti është baza e gjithçkaje. Jam 100% reale në atë që ofroj. Atë që do të dëshiroja të më shërbehej mua, ia ofroj edhe klientit tim, pa hile, me cilësi dhe me kujdes maksimal.
Për mua, çdo klient ka të njëjtën vlerë. Klienti i 100-të pritet me të njëjtën ngrohtësi si i pari, sepse për mua ai mund të jetë i 100-ti, por për vetveten është gjithmonë i pari.
Ajo që më dallon nga të tjerët është mikpritja shqiptare që e kam sjellë me vete nga Tetova, një vlerë që ma ka mësuar nëna ime që nga vegjëlia. Prej saj kam mësuar si të pres njerëzit me zemër, me buzëqeshje dhe me të njëjtin respekt, si drejtorin, biznesmenin dhe qeveritarin, ashtu edhe punëtorin e rrugës.
Njëkohësisht, i kushtoj rëndësi të veçantë freskisë dhe cilësisë së produkteve. Besoj se pikërisht ky kombinim, tradita familjare, mikpritja e sinqertë dhe përkushtimi ndaj cilësisë, është arsyeja pse klientët e mi e vlerësojnë “TE PECA”.
Në një qytet si Antwerpeni, ku konkurrenca është e madhe, diferencën e bën kujdesi për detajet, konsistenca dhe identiteti i qartë. Dhe mbi të gjitha, “TE PECA” nuk ka konkurrencë tjetër përveç vetes së saj, sepse çdo ditë synon të jetë më e mirë se dje.
Portalb.mk: Çfarë mesazhi apo këshille do t’u jepje të rinjve nga vendlindja apo rajoni që duan të nisin një biznes jashtë vendit? Sa është e lehtë të depërtosh në një vend të huaj?
Shpresa Peca: Mesazhi im për të rinjtë është të besojnë në veten e tyre dhe të mos kenë frikë të provojnë, por njëkohësisht të jenë të vetëdijshëm për realitetin.
Të ndërtosh një biznes jashtë vendit nuk është aspak e lehtë. Është një rrugë e mbushur me sfida, sakrifica dhe përgjegjësi. Sidomos në fillim, kur je larg familjes, në një vend të huaj dhe pa siguri, gjithçka bëhet edhe më e vështirë.
Përveç besimit në vetvete dhe në potencialin tënd, po aq i rëndësishëm është edhe guximi. Unë mora guximin të hyj dhe të blej një biznes në zonën e universitetit të Antwerpenit, aty ku biznese të tilla vendase kishin mbi 20 vite përvojë, të vendosura majtas e djathtas në çdo cep të rrugës kryesore, shpesh si traditë familjare brez pas brezi.
Në atë periudhë më vinte shpesh në mendje shprehja jonë: “Mos hyr në mes të ujqërve pa qenë vetë ujk.”
Dhe po, ky ishte guxim. Por unë gjithmonë kam besuar se guximi duhet të ecë bashkë me potencialin, punën dhe pasionin.
Të rinjve u them: për të arritur majat, duhet ta nisësh nga toka. Herë do të duhet të djersitesh, herë do të rrëzohesh, por rëndësi ka të vazhdosh. Ngjitu lart e më lart, por gjithmonë me këmbë në tokë. Dhe që nga dita kur nisesh, mos e kthe kokën pas, sepse maja nuk zbret te ti, ajo të pret ty.
Ti mund të depërtosh kudo, vetëm nëse ti do.