Nga sot, policët me kamera të trupit nëpër rrugët e Kosovës

Policia e Kosovës ka njoftuar të premten se nga sot, 7 korrik, ka nisur fazën testuese të përdorimit të kamerave të trupit nga njësia për kontroll të autostradave. Në një njoftim në Facebook, Policia ka thënë se ky projekt do të zgjerohet më vonë me njësitet tjera policore, raporton Koha.net.

Pilot-projekti për pajisje të zyrtarëve policorë me kamera të trupit është ndërmarrë vite më parë në mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Projekti ka për qëllim rritjen e përgjegjësisë, transparencës dhe llogaridhënien ndaj qytetarëve dhe rritjen e besimit të qytetarëve ndaj policisë.

“Policia e Kosovës përmes projektit të pajisjes së zyrtarëve policorë me kamera të trupit, përveç tjerash ka për qëllim që të argumentojë aktivitetet policore që kryhen gjatë detyrës zyrtare në terren”, thuhet në njoftim.

Policia ka thënë se do t’i njoftojë qytetarët për fillimin zyrtar të përdorimit të kamerave të trupit.