Nga Dardania në Pavarësi, një udhëtim artistik në Lubjanë përmes qëndresës dhe lirisë

Ekspozita artistike “Nga Dardania në Pavarësi”, një rrëfim i fuqishëm përmes historisë, qëndresës dhe lirisë së popullit të Kosovës, do të hapet të hënën, më 23 mars, në Lubjanë. Kjo ngjarje kulturore sjell një udhëtim unik nga lashtësia e Dardanisë deri te shpallja e Pavarësisë së Kosovës, përmes veprave të artistëve të njohur shqiptarë, shkruan Portalb.mk.

Artistët Astrit Rexhepi, Berat Beqiri dhe Ylber Dauti marrin pjesë në këtë ekspozitë si përfaqësues nga Maqedonia e Veriut, duke sjellë përmes veprave të tyre një dimension të veçantë të përbashkët kulturor dhe kombëtar.

Emine Jetishi kuratore e ekspozitës, për Portalb.mk, tha se ekspozita është një rrëfim vizual që dëshmon se historia nuk ka mbetur në gurët e lashtësisë, por jeton në vetëdijen, artin dhe identitetin e Kosovës së pavarur.

“Ekspozita “Nga Dardania në Pavarësi” është konceptuar si një udhëtim vizual dhe shpirtëror që lidh lashtësinë e Dardanisë me identitetin modern të Republikës së Kosovës. Përmes veprave të përzgjedhura artistike, ekspozita synon të nderojë Ditën e Pavarësisë dhe të prezantojë trashëgiminë historike, kulturore dhe artistike të Kosovës në një kontekst ndërkombëtar. Çdo punim përfaqëson një rrëfim unik: qyteti antik i Ulpianës dhe kolonat e tij të ndriçuara nga drita e artit, helmeta dardane që simbolizojnë vazhdimësinë e identitetit historik, figurat e popullit shqiptar që udhëtojnë në breza drejt dritës së pavarësisë, të gjitha duke krijuar një narrativë të bashkuar midis historisë dhe artit bashkëkohor”, tha Jetishi.

Ylber Dauti pjesëmarrës nga Maqedonia e Veriut, për Portalb.mk tha se pjesëmarrja në ekspozitën ‘Nga Dardania në Pavarësi’ nuk është vetëm prezantim artistik, por një rikthim te rrënjët, te historia dhe te shpirti i pathyeshëm shqiptar, që ndër shekuj ka qëndruar duke krijuar, jo duke u dorëzuar.

“Pjesëmarrja në një ekspozitë me titull aq peshues sa “Nga Dardania në Pavarësi” është një moment kulminant për çdo artist, veçanërisht për ata që vijnë nga trevat shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Kjo nuk është thjesht një shfaqje arti, por një dëshmi e vazhdimësisë sonë historike. ​Si artist nga Maqedonia, pjesëmarrjen në këtë ekspozitë e përjetoj si një rikthim në shtëpi. Për ne, arti është mjeti me të cilin kemi ruajtur identitetin. Të ekspozosh krah kolegëve nga Kosova dhe Shqipëria nën këtë tematikë, më bën të ndjehem pjesë e një mozaiku të madh që quhet “shpirti shqiptar”. Vepra ime në këtë ekspozitë funksionon si një urë që lidh antikitetin me të sotmen. Mesazhet që dëshiron të përcjellë janë: ​Qëndresa nuk është heshtje: Qëndresa jonë ndër shekuj nuk ka qenë pasive. Ajo ka qenë një forcë krijuese. Edhe në periudhat më të errëta, ne kemi prodhuar bukuri dhe kulturë, gjë që vërteton vitalitetin e rracës sonë”, tha Dauti.

Foto nga punimi i artistit Ylber Dauti. Foto: Ylber Dauti
Foto nga punimi i artistit Ylber Dauti. Foto: Ylber Dauti

Në ekspozitë marrin pjesë artistët: Astrit Rexhepi, Berat Beqiri, Donjete Kabashi, Emine Jetishi, Fatos Kabashi, Laureta Vogliqi, Ragip Salihu dhe Ylber Dauti.

Në fillesë të këtij rrëfimi qëndron qyteti antik i Ulpianës, dëshmi e një qytetërimi mijëvjeçar që flet për rrënjë të thella kulturore dhe identitare. Përkrah tij, Monedha Ilire, Helmeta Ilire dhe Helmeta Dardane simbolizojnë forcën, zhvillimin ekonomik, mbrojtjen dhe trashëgiminë luftarake të një populli që ka ruajtur identitetin e vet ndër shekuj.

Rrëfimi vazhdon me një nga momentet më të rëndësishme të historisë moderne. Protestat e vitit 1981 në Kosovë, të cilat shënuan fillimin e një ndërgjegjësimi të ri politik dhe kombëtar, si dhe paralajmëruan rrënien graduale të sistemit jugosllav. Këto protesta përfaqësojnë zërin e parë të fuqishëm për liri dhe barazi.

Ky rrugëtim përshkallëzohet drejt periudhës së luftës, ku në ballë të rezistencës qëndron Logoja e UÇK-së, si simbol i sakrificës dhe i luftës së paepur për çlirim. Ky proces kulmon me 24 marsin 1999, kur filluan bombardimet e NATO-s kundër forcave serbe, një moment historik që shënoi kthesën vendimtare drejt lirisë së popullit shqiptar. Kjo ndërhyrje erdhi pas një periudhe të gjatë dhune dhe spastrimi etnik, duke u bërë simbol i mbrojtjes së të drejtave dhe dinjitetit njerëzor.

Bombardimet nuk ishin vetëm një operacion ushtarak, por një akt që hapi rrugën drejt çlirimit dhe themeloi rrugëtimin drejt Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, akti që kurorëzoi sakrificën shumëvjeçare dhe realizoi aspiratën shekullore për liri dhe shtet.

Në tërësi, ekspozita ndërton një urë të fuqishme mes së kaluarës dhe së tashmes, nga qytetërimi i lashtë i Dardanisë, përmes qëndresës dhe sakrificës, deri te lindja e një shteti të lirë. Ajo dëshmon se historia e Kosovës nuk është vetëm një rrëfim ngjarjesh, por një vazhdimësi e pandërprerë e identitetit, qëndresës dhe dritës së lirisë.