Nesër dita e fundit e debatit për rebalancin në Komision, rritja e rrogave dhe gjyqësori ndër temat më të diskutuara

Komisioni për Financa në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut sot e përmbylli ditën e dytë të debatit të përgjithshëm rreth rebalancit të Buxhetit të Maqedonisë së Veriut për vitin 2024, transmeton Portalb.mk.

Nesër prej orës 12:00 do të fillojë dita e tretë e debatit të përgjithshëm në Komision, për të vazhduar pastaj me gjashtë ditët ku do të diskutohet për 58 amendamentet e propozuara.

Në ditën e dytë, opozita vazhdoi me kritikat ndaj Qeverisë në lidhje me propozimin për uljen e financave te gjyqësori. Një propozim i tillë u propozua nga Qeveria, nën arsyetimin se vetëm dy përqind e qytetarëve besojnë në gjyqësor.

Debati për buxhetin u karakterizua edhe me akuzat rreth (pa)mundësisë për rritjen e rrogave dhe pensioneve.

Pas debatit për amendamentet, propozimi për rebalancin e buxhetit do të dërgohet në Kuvend për miratim nga deputetët.

Më 25 korrik, në Komisionin kuvendor për financa dhe buxhet u mbajt dita e parë e debatit të përgjithshëm për rebalancin e buxhetit për vitin 2024.  Pastaj, në kuadër të procesit të rebalancit, planifikohet që debati për 58 amendamente të bëhet brenda gjashtë ditëve. Në rebalanc përfshihen të ardhurat në vlerë prej 318,2 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet 362,8 miliardë denarë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 17 korrik ka miratuar ndryshimet e propozuara në Buxhetin e Maqedonisë së Veriut për vitin 2024.