Nëse jeni me prejardhje greke, mund të aplikoni për shtetësi greke
Greqia ka nisur një fushatë që synon ata që jetojnë jashtë vendit dhe pasardhësit e tyre, me qëllim që t’i informojë ata rreth mundësive dhe procedurave për marrjen e shtetësisë greke, raporton Portalb.mk.
Fushata, e ndarë në Facebook nga Ambasada Greke në Maqedoni, dërgon një mesazh për ruajtjen e lidhjeve midis diasporës dhe atdheut, duke theksuar rëndësinë e historisë, kulturës dhe traditës.
Sipas informacionit të publikuar nga institucionet greke, personat që jetojnë jashtë vendit dhe kanë prejardhje greke mund të fitojnë shtetësi, varësisht nga lidhjet e tyre familjare me Greqinë.
“Nëse nëna ose babai i personit është shtetas grek dhe është regjistruar në regjistrin civil grek në kohën e lindjes së fëmijës, procedura mund të fillohet duke regjistruar lindjen në konsullatën kompetente greke në vendin e banimit. Në rastet kur prindi është bërë shtetas grek pas lindjes së fëmijës, pasardhësi mund të paraqesë një kërkesë për shtetësi përmes konsullatës greke kompetente për vendbanimin e tij ose të saj”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Autoritetet greke u këshillojnë të gjithë personave të interesuar të kontaktojnë konsullatën kompetente, ku do të marrin informacion specifik mbi dokumentacionin e nevojshëm dhe hapat në procedurë.