Gazetari i DW u arrestua sërish në Turqi

Korrespondenti i DW-së në Turqi, Alican Uludağ, është arrestuar sërish në Turqi, shkruan DW. Gazetari investigativ i vlerësuar me çmime po përballet me akuza të reja në kuadër të një hetimi të veçantë, ndërkohë që vazhdon një çështje tjetër gjyqësore kundër tij, raporton Klan.

Drejtoresha e Përgjithshme e DW-së, Barbara Massing, deklaroi: “Ri-arrestimi i kolegut tonë Alican Uludağ është tejet shqetësues. Puna gazetareske nuk duhet të kriminalizohet. Prej vitesh, Alican ka hulumtuar dhe raportuar në mënyrë të pavarur mbi sistemin gjyqësor, politikën dhe shoqërinë në Turqi, në interes të publikut. Ne presim që të drejtat e tij të respektohen plotësisht dhe kërkojmë një gjykim të drejtë, në përputhje me shtetin e së drejtës. Deutsche Welle vazhdon të qëndrojë fuqimisht në krah të tij.”

Arrestimi i fundit ndodh ndërkohë që procedurat penale, të nisura pas ndalimit të mëparshëm të Uludağ-ut, janë ende në vazhdim.

Korrespondenti i DW-së u arrestua më 19 shkurt 2026 dhe kaloi gjithsej 92 ditë në paraburgim, para se të lirohej më 21 maj.

Akuzat ndaj tij përfshirë pretendimet për fyerje të presidentit, përhapje të informacioneve çorientuese dhe denigrim të institucioneve shtetërore mbeten ende në shqyrtim.

Një seancë gjyqësore për këtë çështje është caktuar për datën 18 shtator. Gazetari i njohur investigativ dhe i çështjeve gjyqësore ka vite që raporton mbi sistemin gjyqësor, të drejtat e njeriut dhe korrupsionin në Turqi.

Gjatë ndalimit të tij të mëparshëm, organizata të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe qeveria gjermane, bënë thirrje për lirimin e tij.

Në muajin korrik, Uludağ-ut iu dha Çmimi i Lirisë së Shtypit për vitin 2026 nga Shoqata e Gazetarëve të Turqisë (TGC).