Në spitalin “Kozle” u kthye uji, hospitalizimi i pacientëve vazhdon pa pengesa
Ministria e Shëndetësisë në orët e pasdites njoftoi se është rikthyer furnizimi me ujë në rrjetin e ujësjellësit në Klinikën Universitare për Sëmundje të Mushkërive tek Fëmijët – Kozle, pasi paradite ishte ndalur. Menjëherë ishte kërkuar nga Klinika Universitare për Sëmundje të Fëmijëve dhe Klinika Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile që përkohësisht të pranojnë pacientët që do të kenë nevojë për hospitalizim, transmeton Portalb.mk.
“Furnizimi me ujë në Klinikën Universitare për Sëmundje të Mushkërive te Fëmijët – Kozle është plotësisht i normalizuar. Hospitalizimi i pacientëve vazhdon pa pengesa, ndërsa institucioni shëndetësor funksionon me kapacitet të plotë”, njoftuan nga Ministria e Shëndetësisë.
Në Kozle kishte vazhduar trajtimi i pacientëve në spitalin ditor dhe kontrollet ambulatore.
“Kjo iniciativë ka për qëllim të sigurojë vazhdimësinë në trajtimin dhe kujdesin për pacientët më të vegjël. Ministria e Shëndetësisë po e ndjek nga afër situatën dhe, pas normalizimit të furnizimit me ujë në Klinikën Universitare për Sëmundje të Mushkërive tek Fëmijët – Kozle, hospitalizimi i pacientëve do të vazhdojë pa pengesa në këtë institucion shëndetësor publik”, kanë deklaruar nga Ministria.
Që kur filluan temperaturat e larta, NP “Ujësjellës dhe Kanalizime” ka dërguar apele për përdorim racional të ujit, por zgjidhje për problemin nuk kanë.
“Aktualisht, sistemi i furnizimit me ujë të qytetit funksionon me presion të reduktuar me ndërprerje të herëpashershme të ujit në disa rrugë. Lidhjet e paligjshme sigurisht që kanë një ndikim negativ në gjendjen e sistemit dhe furnizimin me ujë, por për këtë qëllim, po organizohen veprime për zbulimin e tyre. U bëjmë apel qytetarëve që të zvogëlojnë konsumin e padobishëm të ujit si dhe të zbulojnë dhe ndalojnë lidhjet e paligjshme, të gjitha me qëllim normalizimin e sistemit të furnizimit me ujë të qytetit”, thanë nga “Ujësjellësi”.