Në Shkup do të jepet premiera e filmit dokumentar “Toka e Premtuar” nën regji të Qendrim Rijanit

Me (7 maj) në Kinema Frosina-MKC në Shkup, me fillim nga ora 19:00 do të jepet premiera e dokumentarit artistik “Toka e Premtuar”, me skenar nga Venko Andonov dhe nën regji të Qendrim Rijanit, shkruan Portalb.mk.

Ngjarja bazohet në një ngjarje të vërtetë të një çifti hebrenj, i cili ka arritur të shpëtohet nga shqiptarët e Shkupit pastaj Kosovës dhe më pas Shqipërisë. Përmes kësaj ngjarje të vërtetë do të dalë në pah përpjekja e shqiptarëve për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Xhirimet e filmit janë zhvilluar në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Shqipëri dhe në Izrael.

Regjisori Qendrim Rijani për Portalb.mk tha se në këtë dokumentar bëhet fjalë për të ashtuquajturën “Lidhja Shqiptare”, ku me ndihmën e shqiptarëve nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, shpëtohet një numër i madh hebrenjsh.

“Filmi dokumentar me metrazh të gjatë “Toka e Premtuar” trajton një aspekt më pak të njohur të dëbimit të hebrenjve nga Shkupi në mars të vitit 1943. Bëhet fjalë për të ashtuquajturën “Lidhja Shqiptare”, ku me ndihmën e shqiptarëve nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, shpëtohet një numër i madh hebrenjsh. Në Shqipëri, ata pranohen nga familjet shqiptare dhe, për shkak të pushtimit italian, trajtimi i tyre nuk është aq rigoroz sa në vendet nën pushtimin e pastër gjerman-nazist. Një pjesë e madhe e hebrenjve që ikën në Shqipëri pajisen me dokumente të falsifikuara, natyralizohen dhe shpejt fillojnë të punojnë atje, të pranuar si “të tyre” “, tha Rijani.

Rijani gjithashtu deklaroi se filmi bazohet në të dhëna historike.

“Filmi bazohet në të dhëna historike, por gjithashtu ka orientim filmi artistik me metrazh të gjatë, pasi merret me rindërtimin artistik të ngjarjeve reale të botuara në librin Jeta ime nën pushtimin nazist-Kujtimet e Mimi Kamhi Ergas-Faraxhi. Filmi ndjek kalvarin e kalimit të kufirit shqiptar nga Mimi dhe bashkëshorti i saj Alberto, të cilët, të njoftuar nga një mik për një bastisje në mesnatë, lënë pas të gjithë anëtarët e tjerë të familjes Faraxhi dhe ikin disa orë para bastisjes. Mimi është shtatzënë dhe bëhet fjalë për të shpëtuar-fëmijën që po vjen në jetë, në një Shqipëri të sigurt-ose për të ndarë fatin tragjik me të gjithë familjen”, tha Rijani.

Ai sqaroi se projektin e kanë nisur që përpara pandemisë, por pandemia ua komplikoi shumë punën, pasi xhirimet duheshin bërë në disa shtete.

“Pasi rifilluam punën, filloi lufta Izrael-Palestinë, gjë që e vështirësoi xhirimin në Izrael dhe mbështetjen e atjeshme. Megjithatë, në fund ja dolëm. Besoj se kemi një projekt modestish të mirë, i cili dëshmon një histori vërtet tragjike, por nga ana tjetër nxjerr në pah virtytet e larta të popullit tonë”, tha Rijani.

Përveç Shkupit Filmi do të shfaqet edhe në vende të tjera.

“Po, patjetër. Përveç në Maqedoni, filmi do të shfaqet edhe në Kosovë, Shqipëri, Izrael dhe, gjithashtu, konkurrimi në festivale do të na japë mundësinë për t’u shfaqur në shumë vende të tjera”, tha Rijani.

Në film marrin pjesë aktorët: Sabina Memishi Asllanaj, Ita Bartuf, Skender Asani, Maja Susha dhe Ahmed Shurdha.

Filmi është prodhim i Triple-S dhe është përkrahur nga Agjencia e Filmit të Maqedonisë me buxhet minimal në raport me kategorinë në të cilën është konkurruar. Gjithashtu, është përkrahur në mënyrë modeste nga Ministria e Kulturës së Kosovës.