Edicioni i dytë i Forumit Studentor së shpejti në Shkup: Në fokus sfidat e studentëve, ja çfarë pritet të ndodhë
Edicioni i dytë i Forumit Studentor do të mbahet më 9 dhe 10 maj në CoWork21 në Shkup nën organizimin e Forumit për Ndryshime në Arsim (FNA). Edhe këtë vit pritet të miratohet rezoluta e studentëve. Studentë dhe pjesëtarë nga shoqëria civile nga e gjithë rajoni do të trajtojnë sfidat e arsimit të lartë. “Çohu. Ngrihu. Për të drejtat tona. Për njëri-tjetrin. Për të ardhmen që meritojmë”, ky është slogani i këtij viti i forumit. Për më tepër rreth ngjarjes realizuam një bisedë me përfaqësues të FNA-së, të cilët shpalosën detaje të forumit, shkruan Portalb.mk.
Çfarë synimesh ka forumi studentor i këtij viti dhe si pritet të ndikojë te studentët dhe komuniteti më i gjerë?
Forumi Studentor tashmë është kthyer në një traditë dhe ndër ngjarjet më të rëndësishme për studentët në Maqedoninë e Veriut. Krejt ideja e një eventi të tillë ka qenë që për të paktën një vikend, të rinj që avokojnë për të drejta studentore nga gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor të mblidhen në një vend, andaj, vetë bashkimi i krejt këtyre aktivistëve në një vend të vetëm për ne është sukses, pasi ne besojmë fuqishëm që çdo lëvizje, çdo ndryshim, madje edhe çdo revolucion fillon me bashkimin e studentëve.
Përpos kësaj, do të diskutojmë për tema shumë të rëndësishme, do prezantojmë para pjesëmarrësve disa forma të reja të shtjellimit të temave studentore, siç është për shembull ‘fireside chat’ dhe komunikimi i sfidave studentore përmes një formë shumë kreative të përgatitur me shumë kujdes nga vullnetarët e Forumit Studentor dhe Forumit për Ndryshime në Arsim.
Për ne ndikim i mjaftueshëm do të ishte vetëm nëse ia dalim që të paktën disa prej temave të Forumit Studentor t’i aktualizojmë, të paktën për disa ditë studentët të diskutojnë për këto tema, të pyesin njëri tjetrin: pse është e rëndësishme të përfshihemi në betejën për të drejta studentore, si ndikon korrupsioni në cilësinë e arsimit të lartë? Nëse ne arrijmë që këto tema t’i bëjmë pjesë të tavolinave të studentëve, ia kemi dalë.
Çfarë pritet të ndodhë në edicionin e dytë të forumit studentor, çfarë vendime pritet të merren, cilat do të jenë temat që do të diskutohen dhe kush do të jenë folësit?
Edicioni i dytë i Forumit Studentor është i ndarë në dy ditë.
Ditën e parë do të kemi tre punëtori që do të realizohen njëkohësisht por në ambiente të ndara dhe për tema të ndryshme, edhe atë kemi punëtorinë për organizimin e protestave me ligjërues Nikola Pisarev, pastaj për shëndetin mendor të aktivistëve me Ana Frichand dhe për rëndësinë e mediave me ligjëruese Denica Çadikovska.
Dita e dytë është më e rëndësishmja në fakt e Forumit Studentor ku realisht pritet të ndodhë gjithçka, nga debatet me panelistë dhe pjesëmarrësit në forum, deri te disa pjesë teatrale por me mesazhe shumë të fuqishme. Folësit do të zbulohen gjatë këtyre ditëve në platformat tona sociale, por mund të them se secili panel do të ketë një përzierje të folësve nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor ndërsa panelet do të moderohen nga gazetarë me përvojë shumëvjeçare në gazetari dhe moderim.
A do të ketë përfaqësues nga institucionet shtetërore, konkretisht nga sfera e arsimit, si është bashkëpunimi me to?
Forumi Studentor është ngjarje e organizuar kryesisht nga studentët dhe për studentët, fokusi jonë është që të mbledhim një numër sa më të madh të studentëve në një vend të vetëm për të shkëmbyer ide të ndryshme, për të debatuar dhe për t’u njoftuar me njëri-tjetrin.
Megjithatë, bëhet fjalë për një ngjarje të hapur ku mund të marrin pjesë të gjithë të interesuarit pa asnjë përjashtim. Ja, po e shfrytëzojmë medien tuaj për t’ju bë thirrje të gjithë aktorëve shtetëror që të marrin pjesë në Forumin Studentor pasi do të mësojnë shumë për nevojat e studentëve, për sfidat e tyre si dhe do të mund të marrin këshilla se si të punojnë më mirë në të ardhmen.
FNA-ja është organizatë serioze dhe nuk i mbyll dyert e bashkëpunimit me askënd, ne jemi pjesë e shumë grupeve punuese përmes së cilave ndihmojmë institucionet shtetërore në hartimin e politikave rinore.
Cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballen studentët në Maqedoninë e Veriut dhe si ndihmon forumi në adresimin e tyre?
Jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por i gjithë rajoni aktualisht sikur po përballet me një zgjim të studentëve nga gjumi dhe protesta studentore.
Ne synojmë që t’i mbajmë të zgjuar studentët për t’mos ju kthyer gjumit shumëvjeçar pasi ata përballen me jashtëzakonisht shumë sfida, si nga ato praktike (që janë kushtet në universitete, mungesa e laboratorëve, kushtet në konviktet studentore) deri te ato që kanë të bëjnë me cilësinë në arsimin e lartë, ku universitetet tona radhiten në fund të çdo rangliste për matje të cilësisë në arsim, korrupsioni, nepotizmi, plagjiatura dhe çdo formë tjetër e shkatërrimit të cilësisë në arsim, por sidomos të cilësisë në arsimin e lartë.
Krejt këto do të diskutohen në edicionin e dytë të Forumit Studentor dhe tentojmë që të marrim përvojat e shteteve fqinje në zgjidhjen e disa prej këtyre problemeve, çdo diskutim do të rezultojë me ide të reja.
Në forumin e vitit të kaluar u themelua “Trupi Kombëtar i Studentëve” për çfarë ka shërbyer ky trup gjatë këtij viti dhe çfarë rezultatesh ka sjellë?
Kuvendi Kombëtar i Studentëve është dëshmi se Forumi Studentor që organizohet nga FNA-ja çdo vit realisht nuk është thjesht një event ku mblidhen disa të rinj për të diskutuar, por që nga kjo ngjarje ka rezultate reale dhe të matshme. Sot që flasim, studentët në Maqedoninë e Veriut për herë të parë dhe falë Forumit Studentor janë të bashkuar në një trup të vetëm studentor.
Po, është e thjeshtë që institucionet shtetërore të refuzojnë kërkesën e një kuvendi studentor, por kur kjo kërkesë nënshkruhet nga të gjitha kuvendet studentore të universiteteve publike dhe atyre private në vend, nuk besoj që ndonjë zyrtar shtetëror do të kishte guximin ta refuzojë atë. Ne e bëmë të mundur këtë, bashkuam zërin studentor në një trup të vetëm ndërsa në edicionin e dytë të Forumit Studentor, përfaqësuesi i Trupit Kombëtar Studentor para të gjithë të pranishmëve do t’i prezantojë rezultatet e këtij organizimi studentor dhe gjithçka që kanë punuar nga kur janë themeluar.
Kujtojmë që edicioni i parë i Forumit Studentor u mbajt në mars 2024 nën organizimin e Forumit për Ndryshime në Arsim. Në këtë forum u krijua Trupi Kombëtar Studentor, u miratua Karta e të Drejtave të Studentëve dhe Rezoluta e Studentëve.