Në RMV, gjatë muajit mars do të mbahet Festivali i Frankofonisë me filma francez, koncerte dhe ushqim

Nën organizimin e Institutit Francez në Shkup, Ambasadës së Francës dhe Zvicrës, me aktivitete kulturore në Shkup dhe disa qytete tjera të vendit, prej 1 mars deri me 4 prill do të mbahet Muaji i Frankofonisë. Organizatorët për gjatë kësaj periudhe kanë parashikuar një program të larmishëm për adhuruesit e artit frankofon, shkruan Portalb.mk.

Në hapësirat e Shtëpisë së Evropës në Shkup, ambasadori i Francës në Maqedoninë e Veriut, Cyril Baumgartner, ambasadorja e Zvicrës, Veronika Ulman dhe drejtori i Institutit Francez në Shkup, Igo Beshtel promovuan Festën e Frankofonisë, e cila do të zgjasë gjatë gjithë muajit mars dhe fillimin e muajit prill. Gjatë kësaj periudhe janë planifikuar aktivitete kulturore, shfaqje të filmave, ekspozita dhe koncerte.

Ambasadori i Francës në Maqedoninë e Veriut, Cyril Baumgartner tha se gjuha frënge flitet në më shumë vende dhe se rreth 320 milionë njerëz në botë e njohin atë.

“Gjuha frënge flitet nga rreth 320 milionë njerëz në botë. Por gjuha frënge nuk është vetëm gjuhë e Francës, por edhe e vendeve të tjera. Partnerët tanë për Frankofoninë në Shkup janë ambasadat e Zvicrës, Rumanisë, Greqisë, Shqipërisë, konsujt e nderit të Belgjikës dhe Luksemburgut”, tha Baumgartner.

Festa do të fillojë me shfaqjen e filmit “Pasioni i Doden Bouffan” të regjisorit Tran An Hung , më 1 mars në ora 20:00,në kinemanë Milenium.

Ndërkaq, drejtori i Institutit Francez në Shkup, njoftoi se përpos këtij filmit, aktivitete tjera do të kenë Parlamenti i Frankofonëve të Rinj, do të mbahet koncert nga grupi zviceran “Hubris”, do të jepet filmi i Javës Frankofone, ndërkaq do të organizohet dhe konkurs për lexim shprehës.

Gjithashtu do të shfaqet dhe ekspoziA në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Maqedonisë “Reflektime nga Parisi III“, do të organizohet dhe mbrëmje muzikore “Verë dhe muzikë”.

Republika e Maqedonisë së Veriut është anëtare e plotë e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë që nga viti 2006 dhe në të janë të anëtarësuara 88 shtete.

Më shumë informacione rreth aktiviteteve të planifikuara mund të lexoni: KËTU.