Në muajin gusht në Maqedoninë e Veriut janë mbledhur 7,8 milionë euro nga pagesat rrugore
Drejtori i Ndërmarrjes Publike për rrugët shtetërore, Koce Trajanovski, ka sqaruar që në muajin gusht për herë të parë janë grumbulluar mbi 7.8 milionë euro nga pagesat rrugore, transmeton Portalb.mk.
“U rritën qarkullimi i veturave që qarkullojnë nëpër pagesa rrugore. Në muajin gusht kanë kaluar gjithsej 6 850 961 vetura dhe u pagua një rekord prej 7 804 840 euro”, deklaroi Trajanovski.
Ai sot vizitoi pagesën rrugore në Petrovec, duke theksuar që është në rritje trendi i rritjes së numrit të veturave që kalojnë nëpër pagesat rrugore.
Në krahasim me gushtin e vitit të kaluar, këtë muaj janë paguar 241 329 euro më shumë.
Prej 3 korrikut të vitit 2019 e deri më 1 shtator të këtij viti, në Maqedoninë e Veriut janë blerë 33 620 pajisje M-Tag dhe 195 825 kartela M-Smart.
Ndryshe, në korrik në Maqedoninë e Veriut për 260 mijë euro ishte rritur grumbullimi te pagesat rrugore, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Ndërmarrja Publike “Rrugët shtetërore” më herë kishte raportuar që në vitin 2020 nga mjetet e grumbulluara në bazë të taksave rrugore janë realizuar të ardhura totale në vlerë prej 34 milionë euro, në vitin 2021 mbi 46 milionë euro, në vitin 2022 shuma është mbi 53 milionë euro, ndërsa viti 2023 u përmbyll me 62 milionë euro.