Në Maqedoninë e Veriut u regjistrua rritje e borxhit publik, Revizioni kërkoi kujdes ne menaxhimin e financave publike

Enti Shtetëror për Revizion ka kryer hulumtimin me temën “Efikasiteti i masave dhe politikave në menaxhimin e borxhit publik”, ku ka konstatuar rritje të borxhit publik, për çka ka kërkuar politika të qëndrueshme fiskale, transmeton Portalb.mk.

Përkundër vlerësimeve pozitiv të marra nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, Revizioni vlerësoi që menaxhimi i borxhit publik duhet të bëhet me kujdes.

Pagesa e eurobondeve të emetuara për periudhën 2025-2028 pritet të krijojnë pasiguri në financimin e shtetit, ndërsa në hulumtim janë përfshirë buxheti dhe borxhi i Maqedonisë së Veriut për vitin 2021, 2022 dhe 2023.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut në fund të vitit 2023 kishte nivelin publik të borxhit prej 62.1 përqind të BPV-së. Borxhi publik më 31.12.2023 ishte 521 283 600 000 denarë, ndërsa borxhi shtetëror 446 217 000 000 denarë, derisa BPV është mbi 840 611 000 000 denarë.

Totali i borxhit të brendshëm në fund të tremujorit të parë të vitit 2024 arriti në 490.740.000 euro, që është për 82.000.000 euro më shumë se situata në fund të dhjetorit.