Në Maqedoni janë arrestuar gjashtë persona për “tregti me fëmijë”
Ministria e Punëve të Brendshme ka paraqitur kallëzim penal kundër gjashtë personave për shkak të dyshimit për trafikim me fëmije, në një rast që lidhet me organizimin dhe realizimin e birësimit të paligjshëm të një foshnjeje të porsalindur, transmeton Portalb.mk.
Sipas MPB-së, kallëzimi penal është paraqitur kundër F.A., 63 vjeç, Gj.K., 57 vjeç, I.Sh. dhe Xh.Sh., 35 vjeç, të gjithë nga Shkupi, si dhe kundër S.J. nga Kumanova dhe I.A. nga Tetova. Rasti është trajtuar nga Njësia Kombëtare për Luftimin e Kontrabandimit të Migrantëve dhe Trafikimit me Njerëz pranë Sektorit të Hetimeve Kriminalistike.
Nga policia bëjnë të ditur se gjatë viteve 2024 dhe 2025, një pjesë e të dyshuarve kanë vendosur kontakte me çifte të interesuara bashkëshortore dhe me prindër në gjendje të rëndë materiale dhe sociale, me qëllim shmangien e procedurës ligjore për birësimin e fëmijëve.
Sipas kallëzimit, S.J. dhe bashkëjetuesi i saj I.A. janë bindur që ta dorëzojnë foshnjën e tyre të porsalindur në këmbim të një ndihme financiare prej 500 eurosh dhe kontrolleve gjinekologjike falas. Pas daljes nga spitali, nëna dhe foshnja janë dërguar në një shtëpi, ku kanë mbërritur personat që në këtë rast përmenden si “birësues” dhe e kanë marrë të porsalindurin.
Në njoftimin e policisë thuhet gjithashtu se më 17 tetor 2025 është lidhur një kontratë huaje prej 500 eurosh ndërmjet njërit prej të dyshuarve dhe babait të fëmijës, ndërsa paratë, sipas MPB-së, janë paguar po atë ditë si kompensim për birësimin e paligjshëm.
Për të gjithë të dyshuarit, me vendim të gjyqtarit të procedurës paraprake, është caktuar masa e arrestit shtëpiak.